Kryetari i Podujevës, Shpetim Bulliqi priti sot në takim drejtorin e përgjithshëm të organizatës “Qatar Charity”, z. Mahmouad Abbas, ku nënshkruan memorandum bashkëpunimin për hapjen e 55 puseve për ujë të pijes, në vende të ndryshme publike dhe për familjet me kushte të rënda ekonomike, transmeton Llapi.info.

Gjatë takimit gjithashtu me drejtorin Abbas nënshkruan memorandum bashkëpunimi edhe për grante në fushën e bujqësisë duke përfshirë perimkulturë, mekanizëm bujqësor, bagëti dhe shoqëri bletësh. Nga ky memorandum Komuna e Podujevës do të participojë me 10% të kostos së projektit e pjesën tjetër do ta financojë organizata “Qatar Charity”.

Kryetari Bulliqi u shpreh u zotua për bashkëpunim të mëtejmë me organizatën dhe falënderoi ata për kontributin e vazhdueshëm në Komunën e Podujevës.

“I falënderova përfaqësuesit e kësaj organizate për kontributin e vazhdueshëm në komunën tonë dhe shpreha gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar edhe në projekte të tjera në interes të qytetarëve llapjanë. Para tyre paraqita disa prej projekteve për të cilat ka nevojë Komuna e Podujevës, duke vlerësuar lartë bashkëpunimin e ndërsjellët, u dakorduam të vazhdojmë me projekte të tjera në dobi të Podujevës”, tha kryetari Bullqi.

Kryetari Bulliqi në fund ndau nga një mirënjohje dhe nga një dhuratë modeste për drejtorin e përgjithshëm Mahmoud Abbas dhe menaxherin kryesor të projekteve z. Khalid Abdulla MH Alayfei./Llapi.info