Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka nënshkruar memorandum me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK)dhe Organizatën Qeveritare Gjermane (GIZ) për të kontribuar bashkarisht me ekspertizë drejt skemës së menaxhimit të mbeturinave dhe ekonomisë qarkore, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Me qëllim të avancimit të mëtejshëm të këtij sektori sipas standardeve dhe praktikave më të mira të BE-së, palët nënshkruese përpiqen që të punojnë së bashku përmes angazhimit të një eksperti të integruar dhe një eksperti të kthyer.

Angazhimi bazë është zbatimi i Strategjisë së menaxhimit të integruar të mbeturinave, ndërsa këto instrumente të mbështetjes do të luajnë edhe rol këshillues për hartimin e politikave që synojnë përcaktimin e praktikave të ekonomisë qarkore në vend.

Në kuadër të kësaj marrëveshje bashkëpunimi, Komuna e Podujevës do të participojë me 3 mijë euro, MMPHI me 25 mijë euro dhe GIZ me 5 mijë euro, mjete të cilat do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve për angazhimin e ekspertëve.Asociacioni i Komunave të Kosovës do t’i përdorë fondet e ndara për lidhjen e kontratave të punës me ekspert të integruar që do pritet ta fillojë punën në janar të vitit 2022 dhe kandidatin për ekspert të kthyer që do ta fillojë punën menjëherë.

Ndërsa GIZ do të jetë partner këshillues dhe bashkëpunues në procesin e aplikimit dhe kontraktimit të ekspertëve, sipas rregullave dhe procedurave të financimit për projekte specifike./Llapi.info