Podujeva ka qenë njëra ndër komunat e para në Kosovë që është prekur me virusin korona. Nëntë pacientë, tashmë të shëruar, ishin konfirmuar të infektuar me virus. Por, tashmë nga kjo komunë s’ka raste aktive me COVID-19 që nga 20 prilli, raporton Llapi.info.

Pas lehtësimit të masave, normaliteti po rikthehet edhe në qytetin e Podujevës. Përkundër kësaj, Komuna e Podujevës ka apeluar në respektimin e masave të vendosura nga IKSHPK.

“Shqetësues u përmend fakti i mosrespektimit të rekomandimeve të IKSHP-së rreth pjesëmarrjes në ceremoni mortore, ku ditëve të fundit janë regjistruar raste të pranisë së një numri më të madh personash në ceremoni të varrimit. Prandaj edhe me këtë rast apelohet te qytetarët që ceremonitë mortore të organizohen vetëm në praninë e personave të rrethit të ngushtë familjar, si dhe mos të organizohen pritje për ngushëllime”, ka bërë të ditur Komuna e Podujevës përmes një njoftimi për medie.

Nga mbledhja e mbajtur dje në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), është bërë e ditur se 32 persona në këtë komunë janë në vetizolim.

Image may contain: 4 people, people sitting, living room and indoor

Sot, të gjitha xhamitë e kësaj komune janë hapur për besimtarët islamë. Këtë për Llapi.info e ka konfirmuar edhe i pari i Bashkësisë Islame në Podujevë, Mensur Hoti.

“Edhe ne i kemi respektuar vendimet e Bashkësisë Islame, tashmë në Podujevë janë hapur të gjitha xhamitë. Përgatitjet janë bërë, janë dezinfektuar hapësirat në xhami, derisa në disa prej tyre ende është duke vazhduar. Rekomandimet te xhemati pas propozimeve janë që të mbajnë distancën, t’i bartin maskat dhe dorëzat, të marrin abdes në shtëpi”, ka thënë Hoti.

Në këtë fazë të lehtësimit të masave, institucionet shëndetësore u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vendosin maska e dorëza, në çdo vend që ata frekuentojnë.

Që nga sot janë hequr edhe kufizimet për qarkullim të qytetarëve. Sipas vendimit të MSH-së, qytetarët do të lëvizin pa kufizime nga ora 5:00 e mëngjesit deri në ora 21:00. Lehtësimin e masave e kanë përshëndetur edhe qytetarët.

Dje ka nisur edhe puna e transportuesve të autobusëve në linjën Podujevë – Prishtinë dhe anasjelltas, por me numër më të reduktuar. Edhe në këtë sektor janë paraparë që udhëtarët t’u përmbahen rekomandimeve dhe t’i zbatojnë masat e IKSHPK-së.

Sipas kryetarit të shoqatës së transportuesve në këtë relacion, Beqir Mustafa, numri i udhëtarëve në një autobus maksimumi duhet të jetë 25 udhëtarë.

“Janë bërë të gjitha përgatitjet, do të ketë dezinfektues dhe në autobus do të jenë më së shumti 25 udhëtarë”, ka thënë Mustafa ditë më parë për Llapi.info.

Në vendim e Ministrisë së Infrastrukturës për lejimin e qarkullimit të transportit ndërurban, parashihen edhe masat mbrojtëse që duhet ndërmarrin kompanitë e transportit publik.

Ato duhet ta bëjnë dezinfektimin e hapësirës tri herë në ditë; të shfrytëzojnë 50% të kapaciteteve të mjeteve duke respektuar distancën fizike; në një set ulësesh të mos e lejojnë më shumë se një person etj. Kurse edhe udhëtarët duhet të kenë masa mbrojtëse.

Përveç tyre, punën e kanë nisur edhe bizneset tjera në këtë qytet. Janë hapur restorantet dhe kafiteritë me shërbime “merre me vete”, por kjo e fundit duket se nuk po respektohet aq sa duhet, pasi që numri i qytetarëve në kafenetë e Podujevës s’ka qenë i vogël.

Qarkullimi i madh i veturave e karakterizoj pos tjerash këtë qytet gjatë ditës së enjte, gjë që e konfirmon se Podujeva është gati për t’u kthyer në normalitet.

Duhet përkujtuar se rasti i parë me COVID-19 në Podujevë ishte konfirmuar më 15 mars. Rastet e fundit me këtë virus që rezultuan pozitivë ishin më 20 prill. Fillimisht një gjinekolog u konfirmua pozitiv, më pastaj dy familjarë të tij dhe dy punëtorë shëndetësorë me të cilët kishte pasur kontakt. Që nga kjo datë, asnjë banor nga Podujeva s’është infektuar me virus, përkundër rasteve të dyshimta.

Nga Komuna e Podujevës kanë qenë 9 pacientë të konfirmuar me koronavirus, 8 prej tyre tashmë janë shpallur të shëruar, ndërsa një i moshuar ka ndërruar jetë, i cili kishte edhe sëmundje tjera shoqëruese.

Ndryshe, që nga 13 marsi e deri tani në Kosovë me virus korona janë infektuar 1 mijë e 48 persona, 801 persona prej të infektuarve janë shëruar, kurse 30 persona kanë humbur jetën por që kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese./Llapi.info