Komuna e Podujevës pritet të bëhet edhe me një tjetër çerdhe publike, raporton Llapi.info.

Ky vendim është marrë sot në mbledhjen e rregull të Kuvendit Komunal, vendim me të cilin do të ndahen 100 mijë euro për vazhdimin e punimeve të objektit që gjendet afër shkollave të mesme.

Ky vendim është marrë sot në asamblenë komunale, ndërkohë që për këtë ka reaguar edhe kreu i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Sot në seancën e Kuvendit Komunal, ka kaluar pika e rendit të ditës për ndërtimin e çerdhes në qytet, ky projekt do të kushtojë 100 mijë euro dhe si i tillë është i mirëseardhur duke e parë nevojën për ndërtimin e këtij objekti. Ishim zotuar në fushatën zgjedhore për ndërtimin edhe të një çerdhe për këta muaj të këtij mandati dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që ky projekt po realizohet dhe zotimi po përmbushet. Falënderoj asamblistët për konstruktivitetin e treguar në mbështetje të këtij projekti dhe projekteve të tjera me rëndësi për komunën tonë”, ka shkruar Bulliqi.

Ky objekt ishte nisur për çerdhe para rreth 20 vjetëve, por që i njëjti s’është funksionalizuar asnjëherë. Madje, ky objekti ishte shndërruar si strehimore për qentë endacakë, teksa në vitin 2019 ishte djegur pullazi i saj. Ndërtimi i kësaj çerdheje pati nisur menjëherë pas luftës, kurse mbeti në gjysmë për shkak të një kontesti gjyqësor në mes të punëkryesit dhe financuesit./Llapi.info