Barazimi i mbrëmshëm i Prishtinës në shtëpi kundër Ferizajt, 0-0, ka revoltuar “Plisat”, që i kanë thënë klubit se më s’do të ketë shanse.

“Nuk keni më shanse. Kjo ishte e fundit. Një javë vrapojmë nëpër qytet për ta mbushur stadiumin në një ndeshje që do të duhej të ishe e rëndësisë së vogël, ndërsa lojtarët dhe klubi vazhdojnë me adetet e vjetra. Barazim me Ferizajn, ekip tërësisht ‘outsider’, kurse Prishtina pretendent për titull”, ka shkruar në rrjetet sociale Albert Krasniqi, kreu i Plisave.

Ai shton se qyteti dhe klubi i Prishtinës nuk mund të mbesin as në mëshirën e trajnerit e as të ndonjë lojtari që luan sikur të ishte yll i Ligës së Kampionëve.

“Ferizaj askujt nuk mund t’i nxjerrë pikë, Prishtinës i merr pikë si vendas. Cili është arsyetimi tani? Armiqësitë me Prishtinën? Mungesa e stadiumit vendas? Por, kjo ishte e fundit! Nga ndeshja tjetër, ndryshe flitet në stadium”, ka shkruar ai.