Peter Howsoni i është përveshur rreptë punës në studion e tij në Glasgow. Derisa dëgjohet muzikë klasike, ai shtrihet në karrigen përballë një kanavace të madhe, duke pikturuar me zhdërvjelltësinë e vet në brushë, shkruan sot Koha Ditore.

Të lehurat e qenit të tij, Buster, lajmërojnë ardhjen time, por Howsoni është kaq i zhytur në punën e tij sa ai as nuk sheh rrotull. Kalojnë disa minuta derisa në fund, me gjasë i kënaqur me pjesën ku ishte përqendruar, Howsoni ngrihet nga karrigia për të më përshëndetur.

Sapo lëviz nga kanavaca, mund t’ia shohë krejt pikturën. Është një copëz e fuqishme, një aso që paraqet skena të papërfytyrueshme tmerri, në qendër të së cilës është një masë e koklavitur trupash dhe gjymtyrë të shpërfytyruara në mënyrë groteske.

Djemtë e rinj dhe burrat mbahen me forcë brenda një rrethoje. Disa tashmë shtrihen përdhe të vdekur. Të tjerët po japin shpirt. Ose po përkulen në pritje të fatit të tyre në duart e ekzekutuesve të tyre fytyrëzbrazët. Një pjesë e qiellit llamburit në të kuqe prej zjarrit. Sipër një peme, e pa vënë re nga ata që janë poshtë, struket një vajzë e vogël, e vetmja sypamëse e plojës brutale që po shplekset.

“Masakra e Srebrenicës”, që është shpalosur në gjysmën e dhjetorit në “St Mungo Museum of Religious Life” në Glasgow, shërben si një përkujtues i fuqishëm i mizorisë më të rëndë në truallin evropian qysh prej Luftës së Dytë Botërore.

Kujtimet e trishta

Në korrik të vitit 1995, gjatë kulmit të luftës në Bosnjë, në Srebrenicë ndodhi gjenocidi i më shumë se 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë. Howsoni nuk është i huaj kundrejt barbarisë. Ai ishte ngarkuar nga “Imperial War Museum” që të regjistronte konfliktin fetar dhe etnik në ish-Jugosllavi në vitin 1992, dhe një vit më vonë ishte caktuar si artist zyrtar britanik për Bosnjën. Përvoja, thotë ai, ka pasur ndikim të thellë e të gjatë. Ka pasur çaste, pranon Howson, kur ai e ka vënë në pikëpyetje esëllinë e tij.