Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq është ankuar se politikanët e Kosovës “po i shkelin të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në mënyrën më të pamëshirshme të mundshme”.

“Zgjidhjet e imponuara dhe ultimatumet që po vijnë nga Prishtina sot janë një tjetër konfirmim në një seri se politikanët shqiptarë nuk duan dialog të vërtetë, por po përpiqen ta sabotojnë atë në të gjitha mënyrat e mundshme”, u shpreh Petkoviq.

Ai foli edhe për parimet e Kosovës për dialogun, të cilat sot në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme i theksoi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

“Nëse Albin Kurti mendon se do të vijë në Bruksel me një listë të tillë të kërkesave para presidentit Aleksandar Vuçiq, atëherë ai padyshim që nuk ka kuptuar asgjë, ose thjesht bën sikur nuk e kupton, sepse nuk ka asgjë nga presioni mbi Beograd”, tha Petkoviq.

Ai përsëriti se Beogradi është i përkushtuar për dialog me besimin për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politikisht përmes kompromisit.