Dy studime australiane të botuara në revistën “Archives of Ophthalmology” tregojnë se burimet e yndyrave të pangopura dhe acideve omega-3-yndyrore, ndihmojnë në parandalimin e degjenerimit të makulës, ndërsa acidet trans-yndyrore kanë ndikim të dëmshëm.

Makula është pjesa qendrore e retinës së syrit, e cila është përgjegjëse për mprehtësinë e të parit. Me kalimin e moshës, si edhe për shkak të faktorëve tjerë, siç janë pirja e duhanit dhe faktorët gjenetikë, vjen deri te grumbullimi i shtresave në retinë me ç’rast turbullohet fusha qendrore e të arit, transmeton Telegrafi.

Studimi në të cilin janë përcjellë 2.500 persona të rritur për një periudhë dhjetëvjeçare tregon se rreziku i paraqitjes së hershme të degjenerimit të makulës do të zvogëlohet për 31% nëse gjatë javës vetëm njëherë konsumoni peshk, ndërsa ngrënia e arrave, farave, lajthive, bajameve etj., disa herë gjatë javës, zvogëlon për 35% rrezikun nga degjenerimi makular.

Ndërsa studimi tjetër i realizuar te 6.700 persona të moshave ndërmjet 58 dhe 69 vjeç, sugjeron se konsumimi i vajit të ullirit (më shumë se 100 mL në javë) ka po ashtu efekt pozitiv në mbrojtjen e makulës nga dëmtimi.

Në këto kushte, përveç kontrollit rutinë tek mjeku okulist,ju duhet të ndiqni një dietë të balancuar.