Pesë punëtorë ndërtimi kanë vdekur pas shembjes së një sheshi ndërtimi në një shkollë në qytetin belg të Antwerp.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një pjesë e ndërtesës ra papritmas të premten pasdite, duke tërhequr skelat që mbështesnin atë, sipas mediave lokale.

Megjithatë, së paku deri më tani, shkaku nuk dihet.

Zjarrfikësit dhe punëtorët e shpëtimit nxorën dy kufomat e fundit nga rrënojat të shtunën, që do të thotë se të gjithë punëtorët e zhdukur tanimë janë gjetur.

Dy nga viktimat ishin nga Portugalia dhe Rumania, tha policia për mediat belge.

Nëntë persona të tjerë u plagosën nga shembja, tre prej të cilëve ishin ende në kujdes intensiv të shtunën.

Brussels Times raportoi se shkolla fillore, në lagjen Nieuw Zuid të qytetit, duhej të hapej me kohë për të mirëpritur nxënësit për vitin e ri shkollor më 1 shtator dhe se punimet ishin intensifikuar për të përmbushur atë afat.

Mbreti Philippe i Belgjikës vizitoi vendin të shtunën dhe foli me policinë, zjarrfikësit dhe ndihmësmjekët. Ai shoqërohej nga Kryeministri Alexander De Croo.