Publikimi i dokumentit fantazmë që propozonte ndryshimin e kufijve në Ballkan, dëshmoi edhe njëherë se kjo pjesë e Evropës vazhdon që të jetojë me idetë e shekullit XIX, ku krijimi i shteteve në vija etnike vazhdon të jetë “ëndrra” e vendeve të rajonit; një ide kjo që si në të kaluarën ashtu edhe tani po gjen mbështetje në qarqet diplomatike të fuqive të mëdha.

Ky dokument vjen në një kohë kur rajoni po përjeton zhvillime dramatike: Me procesin e integrimit që zvarritet ose është bllokuar, krizën e fuqishme ekonomike, paaftësinë e politikanëve për të adresuar shqetësimet dhe problemet e qytetarëve si dhe interesat e ndryshme gjeopolitike të aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë. Të gjitha këto kanë bërë që nacionalizmi në Ballkan të rritet përsëri.

Vendet e rajonit të cilat janë edhe më të prekurat nga ky projekt patën qëndrime dhe qasje të njëjtë duke e kundërshtuar këtë plan, por nën rreshta disa shtete ishin të kënaqura me këtë dokument pasi ai do t’i mundësonte që në një masë të konsiderueshme të realizonin edhe ambiciet e tyre shekullore që ishte krijimi i shteteve të mëdha mbi baza etnike.

Përse ky dokument është i “pranueshëm” për Serbinë?

Duke pasur parasysh qëndrimet dhe reagimet e menjëhershme të qarqeve politike dhe akademike në Serbi, u duk sikur ata ishin informuar edhe më herët me përmbajtjen e këtij projekti, pasi ai përshtatej me qëllimet politike të Beogradit për ndryshimin e hartës politike të Ballkanit.

Dokumenti propozonte që Bosnja, e cila u krijua në bazë të marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995 të ndahej dhe një pjesë të merrej nga Serbia, ndërsa Kosova ose të bashkohej me Shqipërinë, ose në Veri të Kosovës të krijohej distrikti autonom i Kosovës së Veriut, por nuk hidhet poshtë edhe shkëmbimi i territoreve mes dy vendeve.

Në rast të realizimit të këtyre propozimeve jo zyrtare, përfitimet e Serbisë do të ishin shumë të mëdha të cilat, përvec bashkimit kombëtar do të rezultonin edhe me përfitime tjera politike dhe territoriale të cilat do ta forconin edhe më shumë shtetin e Serbisë.

Bashkimi i Republikës Srpska e cila është një etnitet autonom në Bosnje dhe Hercegovinës do ti mundësonte Serbisë përfitimin e 25.053 kilometra katrorë territor. Nga 77.474 kilometra katrorë, Serbia do të shkonte në 102.572 kilometra katrorë dhe shtimin e popullsisë nga 7 milion në 8.2 milion banorë. Duke pasur parasysh rënien demografike që ajo po përjeton në vitet e fundit, kjo do ti jepte asaj një peshë dhe rëndësi të pa diskutueshme në Gadishullin Ballkanik.

Ky bashkim në aspektin ekonomik do të mundësonte Serbisë shtimin e prodhimit bruto me rreth 6.5 miliard dollarë, si dhe shfrytëzimin e pasurive nëntokësore sidomos të burimeve ujore me të cilën është shumë e pasur Republika Srpska në të cilën Serbia po ndërton tre hidrocentale me një vlerë rreth 530 milion euro e cila do ta shndërronte atë në superfuqinë energjike jo vetëm të Ballkanit por edhe të Evropës.

Pas gatishmërisë së Serbisë për shkëmbim të territoreve fshihen edhe synime të tjera pos atyre të deklaruara të cilat do ti mundësonte asaj përfitime shumë të mëdha gjeopolitike e që do të sillnin paqen dhe stabilitetin në territorin e saj ku edhe përfitimet ekonomike nuk do të mungonin.

Në rast të shkëmbimit të territoreve me Kosovën , përfituesi më i madh do të ishte Serbia, pasi ajo synon që ta marrë Zveçanin, Leposavicin, Zubin Potoku dhe Mitrovicën Veriore dhe të jap vetëm Preshevën e cila do ti jepte mundësi Serbisë që të “çlirohej” nga problemi shqiptar. Ky shkëmbim do ti mundësonte përfitim me mbi 1000 kilometra katrorë, në aspektin demografik do të përfiton 12 mijë banorë më shumë, dhe ekonomikisht kjo do të përkthehej në një fitore nga 2.7 deri në 3.8 miliard euro.

Krijimi i distrikti autonom të Kosovës së Veriut do të ishte po ashtu një përfitim shumë i madh për Serbinë, pasi ajo në këtë mënyrë do të përfitonte një etnitet të ri autonom të stilit të Republikës Srpska brenda Kosovës e cila me shumë gjasa në një të ardhme të afërt do të shkëputej me një propozim tjetër si homologia e saj në Bosnje dhe Hercegovinë.

Serbia synon që përmes shkëmbimit të territorit ta izolojë lëvizjen boshnjake në qytetin e Novi Pazarit e cila kërkon shkëputje nga sovraniteti i Beogradit, e cila ka shkaktuar jo pak probleme për autoritetet e vendit. Roli i Rusisë në këtë diskutim është shumë i rëndësishëm, pasi ajo jo vetëm që po mbështet aleatin e saj tradicional, por synon që këtë precedent ta shfrytëzojë edhe për të zgjidhur problemin e territoreve që ajo ka pushtuar si Krimenë dhe Osetinë të cilat nuk janë të njohura ndërkombëtarisht si pjesë të Kremlinit dhe ajo po lobon fort që të njihen si territori i saj.

Këto dokumente fantazmë do të vazhdojnë në Ballkan deri sa vendet e rajonit të ndahen përfundimisht nga idetë nacionaliste të shekullit XIX . /”Emerging Europe”/ “Eu Observer”, “Zhurnal”