Kanë përfunduar kërkimet për personat e humbur pas incidentit tragjik që ndodhi në Gjenova të Italisë, kur u shemb ura e Morandit e cila ishte pjesë e autostradës A10.

Pasi që janë nxjerrë trupat e fundit nga një makinë që gjendej nën pllakat e betonit, numri i personave të vdekur është rritur në 43, shkruan Reuters, transmeton Klan Kosova.

Nëntë persona janë ende duke u trajtuar në spital, ndërsa katër prej tyre janë në gjendje kritike.

“Megjithëse të gjithë personat e regjistruar si të zhdukur tani më janë gjetur, puna jonë vazhdon në mënyrë që të sigurohemi se askush nuk ka mbetur nën rrënoja”, ka thënë për “Sky TG24” zyrtari i zjarrfikësve, Stefano Zanut.

Zanut shtoi se zjarrfikësit po ashtu janë duke e siguruar vendin për t’i ndihmuar hetuesit që ta gjejnë shkaktarin e fatkeqësisë.