Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka zbuluar se ish-mbreti i Spanjës, Juan Carlos, i kishte telefonuar atij për ta lartësuar Cristiano Ronaldon.

Sulmuesi portugez shënoi një gol të mrekullueshëm me gërshërë në fitoren 3-0 të Real Madridit kundër Juventusit në ndeshjen e parë çerekfinale në Torino, transmeton Gazeta Express.

Perla e tij e bëri tifozërinë vendase të ngrihet në këmbë për të duartrokitur, diçka për të cilën edhe vetë Ronaldo e pranoi se nuk i kishte ndodhur kurrë më parë.

“Juan Carlos më telefonoi për ta uruar Cristianon. Goli i tij kundër Juventusit është njëri prej golave më të bukur në histori të futbollit; një gol i mrekullueshëm nga lojtari më i mirë në botë”, tha Perez për Gazzetta dello Sport.

“Ajo që ndodhi në Torino ishte shumë emocionuese dhe tregon edhe madhështinë e Juventusit dhe tifozëve të tij”, shtoi ai.