Shkaktar kryesor i aksidenteve të shpeshta në trafik po konsiderohet mungesa e kulturës në komunikacion, sidomos përdorimi i telefonit.
Vetë ngasësit e veturave pranojnë se përdorimi i telefonave është ndër shkaktarët kryesorë të aksidenteve.

“Është kaos në komunikacion. Por unë mendoj se shkaktar i aksidenteve në rrugë të gjata është sidomos përdorimi i telefonave. Së paku unë kam atë përshtypje”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Shqipe Shala.

“Trafiku në Kosovë është në kaos. Mosrespektimi i shenjave dhe rregullave të komunikacionit mendoj se janë ndër faktorët që dërgojnë në aksidente”, deklaroi Fadil Gashi.

Eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti thotë se faj për aksidentet e shumta pos vozitësve ka edhe policia, përcjell Telegrafi.

“Policia ka vendosur masa të dobëta preventive. Policia reagon vetëm kur ka aksidente të mëdha. Policia nuk reagon në mënyrë konstante. Edhe mungesa e radarëve në komunikacion është domethënëse për këto aksidente”, deklaroi Bekim Ahmeti.

Në bazë të dhënave të policisë nga fillimi i këtij viti, kanë ndodhur 7645 aksidente trafiku, ndërsa nga këto aksidente kanë humbur jetën 42 persona.

Ndërsa vetëm gjatë 24 orëve të kaluara në Kosovë kanë ndodhur 26 aksidente trafiku ku pesë persona kanë humbur jetën.