Policia e Kosovës për rajonin e Prishtinës ka filluar një plan operacional për të gjithë ata të cilët në komunikacionin rrugor nuk janë duke e respektuar dritën e kuqe në semaforë, vijën e plotë si dhe për këmbësorët të cilët nuk kalojnë në vijat e bardha (zebra).

Lajmin e bëri të ditur në një prononcim për Telegrafin komandanti i trafikut rajonal për regjion të Prishtinës, major Milaim Fejzullahu.

Fejzullahu tha se aksioni ka filluar javën e kaluar, do të vazhdojë edhe javën e ardhshme, i cili aksion sipas tij ka për qëllim parandalimin e aksidenteve të shumta që po ndodhin kohëve të fundit.

Ai po ashtu tregoi se për tre muaj si masë mbrojtëse janë konfiskuar afër 200 patentë shoferë vetëm për mosrespektim të dritës së kuqe në semafor.

“Plani operativ, mosrespektimi i dritës së kuqe, mosrespektimi i semaforit i cili ka filluar javën e kaluar dhe është vazhdimësi, kjo është java e dytë. Pastaj e kemi planin operativ të këmbësorit i cili është ende në implementim edhe mosrespektimi i vijës së plotë. Para dy jave ka filluar aksioni policor dhe vazhdon edhe javën e ardhshme. E tëra është bërë për shkak të kundërvajtjeve të shumta të cilat nuk po respektohen drita e kuq, si masë mbrojtëse për tre muaj janë konfiskuar afër 200 patentë shofer, vetëm për dritë të kuqe. Edhe për vijë të plotë kemi marr masa”, ka thënë Fejzuallhu.

Komandanti i trafikut rajonal për regjion të Prishtinës po ashtu tha për identifikimin e atyre që tejkalojnë në vijë të plotë kanë futur në funksion dhe dronin.

“E kemi fut edhe dronin në funksion që të identifikojmë ata të cilët nuk e respektojnë vijën e plotë. Është plani që dy njësi tonat do të qëndrojnë në Veternik për shkak të disa aksidenteve që kanë ndodhur kohëve të fundit ku këmbësorët kalojnë vend e pa vend, duke i kaluar ndarjet fizike e barrierat”, tha ai.

“Është mundësia që plani të vazhdohet pasi e tëra po bëhet për parandalimin e aksidenteve, pasi këtë vit kemi rritje të numrit të aksidenteve në krahasim me vitin e kaluar. Janë duke u ndërmarr masa ligjore më të rrepta për dritë të kuqe dhe tejkalim në vijë të plotë, këto kur nuk respektohen po shkaktohen aksidentet”, tha ndër të tjera për Telegrafin, major Milaim Fejzullahu, komandant i trafikut rajonal për regjion të Prishtinës.