Vendimi i fundit i autoriteteve amerikane do të çojë në një nga tërheqje më të madhe të automjeteve që ka ndodhur në histori.

Subaru, Tesla, BMW, Volkswagen, Daimler Vans, Mercedesi dhe Ferrari do të tërheqin nga tregu rreth 1.7 milion automjete për të zëvendësuar Airbagët potencialisht vdekjeprurës, të cilat i prodhon kompania e njohur japoneze Takata Corporation, transmeton Koha.net.

Pompa e këtyre Airbagëve mund të lëshohet vetvetiu dhe mund të dëmtojë shoferët dhe pasagjerët. Së paku 23 persona kanë vdekur si pasojë e këtij problemi dhe qindra janë lënduar në gjithë botën.

Rreth 10 milionë pompa të Airbagëve janë tërhequr nga tregu këtë vit në SHBA, dhe pritet që deri në fund të vitit të ardhshëm, kur duhet të zgjidhet ky problem, rreth 70 milionë pajisje të tilla do të zëvendësohen.

Takata Corporation përdorë nitrat të amonit për të shkaktuar një shpërthim të vogël në mënyrë që të fryhet Airbagu, përcjell Koha.net. Megjithatë, gjendja e këtij kimikali në Airbag po përkeqësohet me kalimin e kohës për shkak të lagështisë nga ndryshimi i temperaturave. Pompat më të rrezikshme janë në jug të SHBA-së përgjatë Gjirit të Meksikës për shkak të lagështisë së madhe.

Për shkak të tërheqjes nga tregu të këtyre pompave, Takata kërkon mbrojtje nga falimentimi dhe ka shitur pjesën më të madhe të pronave për të paguar riparimin e dëmeve.