Qytetarët e Komunës së Podujevës do të kenë mungesë të ujit të pijes përgjatë gjashtë orëve çdo ditë, përderisa të mbizotërojnë temperaturat e larta, shkruan Llapi.info.

Kështu ka thënë për Llapi.info edhe zëdhënësja e KRU Prishtina, Arjeta Mjeku, duke shtuar se harxhimet, siç ka thënë ajo, janë enorme në këtë kohë.

“Për shkak të harxhimeve të shtuara në këtë kohë dhe furnizimit të pamjaftueshëm me ujë për zonën e qytetit te Podujevës , ne kemi filluar me reduktime të ujit për disa zona, në mënyrë që të kenë ujë gjithë njësoj.

Nga ora 9,00 deri në ora 16,00 janë në reduktim këto fshatra që furnizohen nëpërmes gypit DN-400mm :

1) Rrugët “Fitorja” dhe “Haxhi Sadria”, fshati Dumnicë,

2) Fshati Shtedim dhe pika kufitare në Merdar që furnizohen me gypi Ø110 mm,

3) Fshati Balloc që furnizohet me gypin Ø90 mm,

Kurse, zona e qytetit (pjesa e poshtme) nga Shkolla e Mesme Ekonomike “Isa Boletini”  deri te ish Rr,.”Llapi” dhe nga rrethqarkullimi në rrugën “Skënderbeu” pjesa deri te “Qershiat e Llapashticës” reduktohen sipas gjendjes në qendrën e qytetit. Po ashtu me reduktime janë edhe fshatrat nga Albaniku në Podujevë dhe nga Albaniku në Prishtinë, pra ato linja”, ka thënë Mjeku.

Më tej, Mjeku ka shtuar se kjo gjendje me reduktime do të vijoj deri në rënien e temperaturave të larta në Kosovë.

“Kjo gjendje do të zgjasë derisa të bien temperaturat dhe me rënien e tyre bie edhe shpenzimi enorm i ujit. Pra, si pasoje e infrastrukturës dhe konsumit të lartë si dhe keqpërdorimet. Ngase, numri i konsumatorëve po rritet e infrastruktura është e njëjta pothuajse. Por, jemi gradualisht duke investuar”, ka thënë ajo.

Me këto reduktime janë shprehur të indinjuar qytetarët llapjanë të zonave të ndryshme të Podujevës. Ata kanë thënë për Llapi.info se reduktimet po u shkaktojnë probleme sidomos bizneseve që gjenden në zonat me reduktime të ujit./Llapi.info