Është rritur numri i rasteve të reja me virusin korona në Podujevë. Në vetëm shtatë ditët e fundit, 16 raste janë konfirmuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, raporton Llapi.info.

Numri më i lartë është shënuar të dielën, me gjithsej 6 raste. Përveç pjesëtarëve të FSK-së, edhe punëtorë shëndetësorë në QKUK nga kjo komunë kanë rezultuar pozitivë. Ndërkaq, dje u konfirmuan edhe për tri raste pozitive krejtësisht të reja, të cilat s’i përkasin rasteve të kontakteve të familjeve të konfirmuara më parë me COVID-19 në këtë rajon. Burimi i tyre i infeksionit ende nuk dihet. Dy prej tyre janë nga qyteti, e tjetri nga fshati Gllamnik.

Epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama, i ka thënë portalit Llapi.info se numri i rasteve aktive në këtë komunë ka arritur në 28.

“Tani i kemi 28 raste aktive. Tetë pacientë i kemi në Prishtinë, gjegjësisht katër në Pulmologji dhe katër të tjerë në Klinikën Infektive. Gjendja e tyre është mesatare dhe s’janë rëndë, kurse këta të tjerët janë me gjendje të mirë dhe stabile”, ka thënë ajo, duke shtuar se numri i rasteve mund të rritet ditëve në vijim.

Rama vazhdimisht ka apeluar tek qytetarët llapjanë që t’u përmbahen rekomandimeve të IKSHPK-së dhe t’i zbatojnë masat parandaluese të kësaj pandemie.

Apel të njëjtë kanë dhënë dje me rastin e vizitës së bërë në Komunën e Podujevës edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani.

“Na lejoni që t’i kthehemi normalitetit, t’i kthehemi avancimit të shërbimeve shëndetësore dhe ta menaxhojmë sa më mirë pandeminë dhe ta largojmë sa më shpejtë nga jeta jonë e përditshme. Mbani maskë, mbani distancën, mbani higjienën, respektoni rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, respektoni manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19 i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës”, tha Zemaj.

Në një adresim për medie, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani ka thënë se rezultati i për shuarjen e pandemisë s’do të mungojë, në rast se qytetarët i respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së.

Që nga mesi i marsit, kur edhe janë konfirmuar rastet e para, autoritetet kosovare deri më tani kanë regjistruar 2,878 të infektuar me COVID-19. Prej tyre, 51 pacientë kanë ndërruar jetë dhe që të njëjtit kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese./Llapi.info