Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës që po zhvillon në SHBA, ka pasur një takim të veçantë me Kryetaren e Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi.

Në këtë takim, që zyra për informim e Kuvendit e quan “miqësor”, Pelosi i ka konfirmuar Veselit përkrahjen e palëkundur amerikane për Kosovën.

Ajo u zotua se do të jetë gjithmonë në përkrahje të Kosovës dhe theksoi se Kosova mund të llogaris në ndihmën e saj dhe të Kongresit Amerikan.

“Amerika do të jetë përkrah Kosovës dhe do të ju mbështes gjithmonë”, citon zyra për informim e Kuvendit t’i ketë thënë Pelosi Veselit.

Nga ana e tij, kreu i Kuvendit të Kosovës e ka falënderuar kryetaren e Kongresit Amerikan për mbështetjen e parezervë që ajo, Kongresi Amerikan dhe SHBA-ja i kanë dhënë Kosovës historikisht.

Veseli ka kërkuar nga Pelosi që SHBA-ja të ketë involvim edhe më të madh dhe më të drejtpërdrejtë në proceset që po kalon Kosova.

Gjatë këtij takimi, Veseli po ashtu ka kërkuar nga Pelosi përkrahje të Kongresit dhe institucioneve të SHBA-së për ushtrinë e Kosovës si dhe për iniciativën për dënimin e gjenocidit serb dhe krimeve e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë.

Kryeparlamentari e ka ftuar zonjën Pelosi që së shpejti ta vizitojë Kosovën.​