Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka folur para mediave në lidhje me ftesën e Albin Kurti drejtuar opozitës për takim në lidhje me procesin e dialogut.

Tahiri ka thënë se PDK nuk ka pranuar ndonjë ftesë nga Kurti, por që sipas tij po ta kishte seriozisht, kreu i qeverisë do të kërkonte takim edhe para nisjes në Bruksel, vizitë kjo që sipas tij u realizua krejtësisht për qëllime të dialogut, shkruan lajmi.net.

“Ne nuk kemi pranuar asnjë ftesë nga Kurti. Në rast se ai do ta kishte seriozisht koordinimin me opozitën, do duhej ta bënte para nisjes në Bruksel sepse kjo vizitë i ka shërbyer dialogut. Kurti duhet ta bëj të ditur agjendën dhe temat e tij si dhe çështjet që Kosova do t’i vendosë në tavolinë. Ne nuk po shohim transparencë dhe sinqeritet”, tha ia.

Sipas Tahirit, vendi kryesor ku Kurti duhet të flas për planet e tij për dialogun është Kuvendi i Kosovës.

“Vendi i vetëm ku do duhej të diskutohen temat e tilla është Kuvendi i Kosovës dhe nuk mendoj që ka vend për takime të ngushta me kah 2-3 veta nëpër restaurant”, ka thënë Tahiri.