Është publikuar një video-incizim ku persona të dyshuar për fajde dhe krime të tjera të rënda përmendin edhe emrin e kryeparlamentarit të Kosovës dhe liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Lidhur me këtë Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për media ku është thënë se kërkojnë që kjo temë të mos anashkalohet dhe të marrë epilog të plotë, shkruan lajmi.net

Nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj është shprehur se Partia Demokratike është e interesuar për sundimin e ligjit dhe do të kontribuoj vazhdimisht në këtë çështje.

“Arsyeja e kësaj konference për shtyp për ne si Parti Demokratike e Kosovës është se rasti në fjalë është shumë i rëndësishëm dhe kërkojmë të mos anashkalohet dhe të marr epilog të plotë, dhe e vërteta të dalë në shesh”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj tha se ka diçka të dyshimtë brenda çështjes në fjalë pasi ajo është mbyllur pa u kryer hetimet dhe ka qëndruar e paprekur për një kohë të gjatë.

“Tema e kësaj video është mbyllur pa u kryer hetimet, natyrisht kjo nuk ka ndodhur për mungesë të provave, por duket se është penguar qëllimisht nga çaqe të caktuara. Ne si PDK nuk duam të heshtim për këtë ngjarje siç nuk kemi heshtur as në të kaluarën”, tha Hoxhaj në konferencë për media.

“Ne si parti kërkojmë epilog të plotë dhe shpjegim të plotë për këtë temë. Por përsëri po flas kjo çështje si kjo pse nuk ka marrë epilog deri më tani por ka mbetur e paprekur dhe pa dashur të komentoj këto tendenca dhe manipulime në opinionin publik, ato po bëhen për ta njollosur Veselin”, ka thënë Hoxhaj.

Në fund, ai ka shtuar se asnjë tendencën e tillë nuk mund ta ndalë Veselin dhe se partia e tij e sheh si shtyllë vitale të shtetit ligjin dhe askush nuk do të mund t’i ndalë reformat.

Ndërsa sot, vet kryeparlamentari Veseli në një konferencë të jashtëzakonshme për media është shprehur se nuk ka të bëjë asgjë me këtë video-incizim të publikuar.

Ai ka kërkuar hetim të plotë dhe epilog të plotë të kësaj çështje, duke u zotuar se nëse vërtetohet se ka pasur qoftë më të voglin indikacion në këtë rast, ai do të japë dorëheqje.