Dega e PDK-së në Prishtinë, ka kërkuar që sa më shpejtë të nisë së zbatuari vendimi i Kuvendit Komunal i datës 11 nëntor, i cili parasheh lirimin nga pagesa për të gjithë qytetarët e Prishtinës që shfrytëzojnë trafikun urban, nga nëntori deri në mars.

Asambleisti Leotrim Retkoceri tha se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka për obligim zbatimin e vendimeve të Kuvendit.

“Të gjithë qytetarët e Prishtinës, të moshuarit, nënat, fëmijët, të rriturit dhe të gjitha kategoritë tjera që përdorin trafikun urban lirohen nga pagesa. Presim nga kryetari i komunës që sa më shpejtë të realizoj vendimin që është marrë ne kuvendin komunal të Prishtinës. Në këtë çast që po flasim, komuna ka të pashpenzuar 60 % të buxhetit të saj. Pra, ky është argument i mjaftueshëm që të largohen qytetarët nga pagesa në Trafikun Urban dhe koston e qytetarëve ta subvencionoj komuna e Prishtinës përmes buxhetit që nuk e ka shpenzuar.”, ka thënë Retkoceri.

Ndërkaq u përmend edhe ndotja e ajrit e cila shkaktohet zakonisht gjatë muajve të dimrit në qytet, teksa u tha se përmes këtij shërbimi falas për të gjithë qytetarët mund të ndikojnë në ngritje të cilësisë së ajrit.