Partia Demokratike e Kosovës e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se “nuk po dëshiron të lodhet të shkojë deri në Deçan, ku qindra qytetarë janë helmuar”.

Në një postim në Facebook, sekretari në detyrë i kësaj partie, Betim Gjoshi, e ka quajtur Kurtin “kryemashtrues të Kosovës”.

Sipas tij, Kurti “më përpara shkon në Norvegji se në Deçan”.

“Ka humbur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nuk po don të lodhet të shkojë deri në Deçan, ku qindra qytetarë janë helmuar. Ai duhet të shkojë dhe t’i vizitojë. Ta shoh nga afër gjendjen në spitalin e këtij qyteti. Por, jo! Kryemashtruesi që na paraqitej si njeri i afërt me qytetarin e thjeshtë e të varfër, më përpara e merr rrugën për Norvegji se për në Deçan. Kryemashtruesi, prej ditës që ka hipur në xhip të zi, i ka harruar njerëzit e thjeshtë e të varfër që ecin trotuareve”, ka shkruar ai.

Qe dy ditë në Deçan janë regjistruar qindra raste të helmimit. Dyshohet se janë helmuar nga uji i pijes.