Këshilltarë të opozitës në Podujevë kanë adresuar kritika të shumta në adresë të ekzekutivit rreth shpenzimit të parasë për vitin që e lamë pas. Njëri nga ta ka thënë se ky raport tregon keqpërdorimin e parasë publike të udhëhequr nga njerëz joprofesionistë.

Rafet Llapashtica (PDK), ka thënë se Komuna e Podujevës është munduar ta arsyetojë një shumë marramendëse të parasë publike të shpenzuar për vitin që shkoi.

“Në vitin që lamë pas 2014 ky ekzekutiv ka shpenzuar: 2.838.804 euro vetëm për shtrimin e rrugëve. Dhe në të gjithë e dimë se sa rrugë janë shtruar në komunën tonë në 2014. Shuma që e përmenda afro 3 milionë unë kam bërë një kalkulim dhe kjo shumë nuk përkon askund me punën e kryer në këtë drejtori për vitin 2014. Po ta kalkulosh shumën kjo i bie sikur kjo drejtori të kishte shtruar 42 km asfalt të cilësisë së lartë dhe me standard rruge sikur të ishin regjionale dhe km i kësaj rruge do të kushtonte 70.000 euro”, është shprehur Rafet Llapashtica. “Kurse në komunën tonë nuk janë shtruar as afro 7-8 km asfalt të rrugës lokale apo ma thjesht t’i quajmë sokakë të ngushtë me gjerësi afro 3m që nuk kapin as 30 për qind të shumës së raportuar”.

Këshilltari i PDK-së ka thënë se rreth 1 milion e treqind e pesë mijë euro janë futur në raport të shpenzimeve për trotuare dhe kanalizime, kurse sipas tij, gjendjen në terren më së miri e dinë qytetarët se si është në këtë fushë, shkruan Koha Ditore.