PD: Ministria e Brendshme, listë inkuizitore me prokurorë dhe gjyqtarë që nuk...

PD: Ministria e Brendshme, listë inkuizitore me prokurorë dhe gjyqtarë që nuk i pëlqejnë qeverisë

Deputeti i Partisë Demokratike Gent Strazimiri në një deklaratë për mediat ka folur për listën e gjyqtarëve dhe prokurorëve që është paraqitur nga Ministria e Brendshme që paskan bërë “çudira” në proceset penale duke liruar të pandehur në mënyrë të padrejtë.
Strazimira tha se, “qeveria, nëpërmjet Ministrit të Brendshëm, ka përpiluar dhe ka bërë publike një listë gjyqtarësh e prokurorësh që paskan bërë “çudira” në proceset penale duke liruar të pandehur në mënyrë të padrejtë.
Këtë listë ia ka bërë me dije Presidentit të Republikës në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke tërhequr vërejtjen për mosmarrje masash.Edhe sikur në këtë vend, Qeveria apo Ministri i Brendshëm të ishte autoriteti shtetëror që mbikëqyr gjykatat dhe prokurorinë në dhënien e drejtësisë, edhe sikur kjo të mos përbente një skandal kushtetues, ligjor e moral, lista e çështjeve dhe individëve që shqetësojnë qeverinë nuk është aspak ajo që tmerron opinionin publik dhe qytetarët e këtij vendi. Në listën në fjalë, nuk përmenden prokurorët, gjyqtarët dhe oficerët e policisë gjyqësore që çmontuan procesin ndaj deputetit të radhës në listën e “rilindjes”, Arben Frroku.
As gjyqtarët e “lartë”, prokurorët e oficerët e policisë gjyqësore që “bënë mrekullinë” dhe liruan deputetin tjetër “rilindas” Armando Prenga, ndërkohë që mbajnë në burg viktimat e tij me plumbat ende në trup. Nuk përmenden as prokurorët dhe gjyqtarët që ende nuk kanë marrë në përgjegjësi penale individin AA003GB, i cili ka pranuar botërisht të ketë mashtruar për qëllime përfitimi me dashje e qëllim, e që është titullari dhe përdoruesi i mjetit të përfshirë në trafik droge.
Nuk përmenden as gjyqtarët dhe as prokurorët që heshtin për të njëjtin individ, i cili rezulton i vetmi përgjegjës për fshehjen në sirtar të mandat arrestit të Interpolit për deputetin tjetër “rilindas” Mark Frroku, e meqë jemi këtu, edhe për mos ndalimin e trafikantit të drogës që ndodhej në makinën e tij këtu e 2 vjet më parë.
Nuk përmenden as prokurorët e gjyqtarët që nuk procedojnë penalisht dhe lënë të lirë nëpër rrugët e Tiranës, ministrin që ka për detyrë të mos “lejojë kriminelë të mirënjohur të bredhin lirshëm e të paprekshëm në Tirane”, siç po e thonë qartazi përfaqësuesit më të rëndësishëm të partnereve euro-atlantike.
Për këto arsye, lista e publikuar sot është një listë inkuizitore, jo me gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, por me gjyqtarë e prokurorë që nuk i pëlqejnë qeverisë, sepse me sa duket kane bërë “çudira pa leje”!
Disa të tjerë, me të dhëna të njëjta, madje shumë, shumë më të rënda, nuk përmenden, sepse “çudirat” i bëjnë “me leje dhe miratim”.Këta të fundit, me sa duket, në projektin e qeverisë janë programuar të drejtojnë, drejtësinë “e reformuar” me votat e krimineleve që Qeveria ka sjellë në Kuvend, dhe, për këtë arsye “madhore” i mbron me “çudirat” që prodhon pjesa më e fëlliqur e sistemit të drejtësisë.
Ajo e korruptuara edhe politikisht. Ajo që i bën qokat Qeverisë, duke dënuar deputetet e opozitës që denoncojnë kriminalizimin e çdo qelize të shtetit prej qeverisë dhe ministrave të kapur në flagrancë me krimin.
Të nderuar qytetarë! Mbajini shënim këto bëma, gjëma dhe emrat përkatës për ditën e shpagimit që po afron! Ditën e ngadhënjimit të shtetit mbi krimin”.