Që nga konfirmimi i rasteve të para në Kosovë me koronavirus dhe ndërprerjes së shumë aktiviteteve, janë vërejtur edhe dëmet e para në ekonomi. Koronavirusi, përveç shëndetit publik, ka goditur rëndë edhe ekonominë e Kosovës, veçanërisht të ardhurat buxhetore të shtetit dhe në humbjen e vendeve të punës. Mbi 60% të bizneseve u rrezikohet mbijetesa, ndërsa mbi 50 mijë qytetarë kanë humbur punën. Mijëra biznese janë mbyllur e shumë të tjera kanë mbetur pa para në llogari.

Më 13 mars, Qeveria e Kosovës, mori vendim për mbylljen e bizneseve për shkak të frenimit të përhapjes së COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri. Që atëherë e deri më tani të mëdha kanë qenë pasojat që janë shkaktuar në ekonominë e Kosovës. Një hulumtim i Shoqatave Ekonomike në Kosovë vë në pah se 30% e ndërmarrjeve kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.

Sipas këtij hulumtimi, rezulton se rreth 95% e ndërmarrjeve të anketuara e vlerësojnë krizën e COVID-19 si negative, prej të cilave më shumë se gjysma e tyre e vlerësojnë si shumë negative. Përqindje po aq e lartë është gjetur edhe në vlerësimin e rënies së shitjeve, ku mbi 92% e bizneseve deklaruan pakësim të shitjeve, si pasojë e masave kufizuese.

“Mbi 60% e ndërmarrjeve të anketuara besojnë se pandemia COVID-19 rrezikon mbijetesën e tyre. Gjetjet tregojnë se më të rrezikuarat ndihen ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla, me mbi 65% të tyre që janë deklaruar se u rrezikohet mbijetesa, kurse 44.8% e ndërmarrjeve të mesme dhe 40% ndërmarrjeve të mëdha besojnë se pandemia rrezikon mbijetesën e biznesit të tyre. Sipas sektorëve, më i rrezikuari është ai i ndërtimtarisë me 75%, ndjekur nga sektori i shitjes me pakicë me 57.3%, prodhimtaria me 56.6% dhe tregtia me shumicë me 54.7%”. Për sa u përket numrit të punonjësve, 30% e ndërmarrjeve të anketuara deklaruan se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.

Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, rezulton që më së paku punonjës janë larguar nga ndërmarrjet e mëdha. Vetëm 10% e tyre kanë larguar deri në 30% të fuqisë punëtore. Largimet më të mëdha raportohen në ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla, ku rreth 13.9% e tyre kanë larguar mbi 50% të të punësuarve.

Lidhur me aspektet operacionale të ndikuara nga pandemia COVID-19, ndërmarrjet raportojnë kryesisht për humbje financiare, që janë 78% e të anketuarve, mungesë likuiditeti me 44%, joefikasitet në punë me 40% dhe humbje të kapaciteteve prodhuese me 27%.

Mbi 50 mijë qytetarë kanë humbur punën

Oda e Afarizmit në Kosovë ka bërë publike disa statistika, në bazë të të cilave ka treguar se deri më tani, në Kosovë, kanë humbur punën rreth 50 mijë punëtorë, për shkak të ndërprerjes së detyruar të disa veprimtarive ekonomike.

“Se sa do të rritet niveli i papunësisë, kjo do të varet se sa do të mbështeten bizneset në këtë kohë nga shteti. Për aq kohë sa shteti nuk i mbështet bizneset që të kenë likuiditet apo t’i ndihmojnë financiarisht, atëherë papunësia do të jetë shumë më e madhe sesa tani. Ne mendojmë që të paktën 50 mijë punëtorë deri më tani kanë mbetur pa punë”.

Rritjen e numrit të papunësisë e kishte paralajmëruar edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK). BQK ka pohuar se pamundësia e bizneseve për të ushtruar aktivitetin në mënyrë normale do të ndikojë në punësimin dhe të ardhurat e qytetarëve, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rënien e konsumit. Mbi 23% e qytetarëve të Kosovës, sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, jetojnë në varfëri.

Sipas këtyre të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18% e popullatës në Kosovë jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5% e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se Kosovës i nevojitet një “Plan Marshall”, në mënyrë që të shpëtojë ekonominë e saj, i cili është promovuar ditë më parë edhe nga Komisioni Europian.

“Para disa ditësh e kam thënë dhe analizat e mia më kanë shtyrë që të publikoj një artikull, ku duhet që Kosova të përgatitet për një Plan Marshall, i cili është vërtet provomue edhe nga Komisioni Europian, i cili do të jetë pak më ndryshe nga ai i vitit 1948, pas Luftës së Dytë Botërore. Ju e dini që efektet pandemike do të jenë shumë të mëdha, ekonomia do të jetë e shkatërruar dhe në këtë drejtim, rimëkëmbja ekonomike do të jetë prioritet i vendeve europiane dhe më gjerë, dhe në këtë drejtim Kosova duhet të jetë pjesë e një plani të tillë”.

Ai ka thënë se Kosova, viteve të fundit, nuk ka pasur raporte të mira me institucionet financiare ndërkombëtare.

“Ajo çka e dëmton realitetin kosovar është fakti se që dy vite ne kemi pasur raporte të prishura me institucionet kredibile financiare, si FMN dhe Banka Botërore, pra nuk kemi pasur raporte kontraktuale dhe po e shihni sa e rëndësishme qenka partneriteti me këto institucione”. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një raport të publikuar së fundi, thotë se situata më shqetësuese pritet të jetë në tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim.

Raporti i FMN-së vë në pah se, përkundër përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për t’i lehtësuar këto pengesa, këto shtete do të duhet t’i përqendrojnë shpenzimet drejt sektorit të shëndetësisë dhe, në të njëjtën kohë, t’i mbrojnë shërbimet kryesore publike: transportin, energjinë, komunikimet dhe mbrojtjen sociale.

“Teksa shtetet do të mundohen të ballafaqohen me pandeminë dhe izolimi të mbarojë, stimujt fiskalë, të koordinuar në varësi të kufizimeve financiare të vendeve, do të bëhen një mjet më efektiv për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike”. Edhe Kosova pritet të pësojë tronditje ekonomike pas përfundimit të pandemisë. Humbjet e mëdha ekonomike do të kërkojnë strategji për rimëkëmbjen. Shumica e bizneseve kanë pasur humbje financiare, humbje të kapaciteteve prodhuese, si dhe mungesë likuiditeti.

Bizneset mbeten pa para

Mbi 60 mijë punëtorë të kompanive të ndryshme private në Kosovë kanë parashtruar kërkesa për kompensim të pagave në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), në mënyrë që të përfitojnë nga paketa emergjente fiskale e Qeverisë së Kosovës.

Në ATK kanë treguar se nga data 11 prill, kur ka filluar aplikimi në sistemin elektronik për përfitime nga paketa fiskale, e deri më tani, në ATK kanë paraqitur kërkesa për kompensim dhe subvencionim të qirasë gjithsej 13,547 biznese.

Qeveria e Kosovës më 13 mars ka marrë vendim për mbylljen e bizneseve për shkak të frenimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri. Për t’iu ardhur në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë, Qeveria e Kosovës, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.6 milionë euro, e cila duhet të zbatohet nga ATK.

Nga kjo vlerë 61 milionë euro janë ndarë për pagat e punëtorët për dy muajt e ardhshëm, që kanë humbur punën për shkak të pandemisë, subvencionim të qirasë për 50% dhe kontributeve pensionale. Ditë më parë, ish-zëvendëskryeministri Avdullah Hoti bëri thirrje që të fillojë lehtësimi i masave shtrënguese nga Qeveria për shkak të pandemisë, për bizneset dhe njerëzit, pasi sipas tij, kjo do të parandalonte largimin e shumë bizneseve nga tregu.

Hoti ka thënë se lehtësimi i masave duhet të bëhet, por gjithmonë duke respektuar udhëzimet shëndetësore për parandalimin e përhapjes së pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

“Pandemia nga COVID-19 mund të shkaktojë shok ekonomik, por duhet parë edhe si mundësi për ndryshime të mëdha cilësore në strukturën ekonomike të Kosovës, me potencial për rritje afatgjatë cilësore. Kjo pandemi padyshim se do të shkaktojë një shok ekonomik, duke ndikuar negativisht në prodhim, punësim dhe eksporte, dhe kjo vetëm si një valë e parë. Ndikimin e plotë do ta ndiejmë në pjesën e dytë të vitit, kur të shfaqen efektet multiplikuese përmes rënies së investimeve dhe remitancave nga të cilat jemi shumë të varur”.

Ai ka thënë se është me rëndësi që të fillojë sa më parë zbutja e masave për qarkullim të lirë të bizneseve dhe njerëzve, por duke respektuar udhëzimet shëndetësore që të parandalohet përhapja e virusit.

“Lehtësimi në qarkullim të bizneseve, zinxhirit ofertues prodhues/shërbyes dhe të njerëzve, së bashku me mbështetjen e menjëhershme financiare të bizneseve për të përballuar kostot minimale të operimit (ose kostot e mbijetesës gjatë kësaj periudhe) do të parandalonte daljen e plotë të bizneseve nga tregu”.

Zvogëlimi i importit dhe konsumit në Kosovë

Konsumi dhe importi i produkteve në Kosovë ka shënuar rënie, pas masave emergjente që janë marrë për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit. Sipas Doganave të Kosovës, importi i produkteve në përgjithësi ka shënuar rënie me 62 milionë euro.

“Në muajt e parë të këtij viti, kemi 850 milionë euro produkte të importuara, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur 912 milionë euro, pra kemi një ulje prej 6,8% më pak se vitin e kaluar”.

Burime nga Dogana thonë se rënia më e madhe është regjistruar në muajin prill. Produktet që janë importuar më së shumti janë produktet ushqimore si gruri, mielli dhe produktet mjekësore. Kosova është e varur nga importi i produkteve të huaja, qoftë nga rajoni apo nga vendet e Bashkimit Europian, pasi industria e prodhimit vendas ende mbetet pak e zhvilluar.

Paralelisht me importin, rënie ka shënuar edhe konsumi. Sipas Doganës së Kosovës, nëse bëhet krahasimi i sasisë së konsumit në peshë, me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, këtë vit janë 36 milionë kilogramë më pak.
Në përqindje, konsumi sipas përfaqësuesve të bizneseve në Kosovë, thuhet të ketë shënuar rënie rreth 50% për produktet ushqimore, ndërsa 70% për produktet e luksit. Në produktet e luksit, në Kosovë hyjnë ato produkte që kanë akcizë si: pijet alkoolike, duhani, pijet energjike, nafta dhe produkte të tjera.

Dy institucionet që kontribuojnë më së shumti në mbushjen e buxhetit të Kosovës janë Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës. Si pasojë e rënies së importit të produkteve, edhe të ardhurat doganore kanë shënuar rënie.

“Në të hyrat doganore, aktualisht jemi 5% më pak të hyra se vitin e kaluar. Ndërsa në vitin e kaluar, në periudhën 1 janar – 21 prill janë mbledhur 294 milionë euro, në periudhën e njëjtë të këtij viti kemi 270 milionë euro”.
Administrata Tatimore e Kosovës po ashtu ka shënuar rënie të të ardhurave për arkën e shtetit, për rreth 14 milionë euro vetëm në muajin mars.

Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, buxheti i shtetit, si pasojë e masave të marra për parandalimin e koronavirusit, mund të ketë deri në 200 milionë euro më pak të ardhura. Buxheti i Kosovës për vitin 2020 është 2,3 miliardë euro. Sipas këtij buxheti, Doganat e Kosovë duhet të grumbullojë mbi 1,2 miliardë euro për arkën e shtetit, ndërsa nga Administrata Tatimore e Kosovës rreth 600 milionë euro. /Monitor.al/