Presidenti iranian, Hassan Rouhani, ka porositur sot se Irani do të dënojë të gjithë personat përgjegjës për rrëzimin e paqëllimshëm të aeroplanit të Ukrainës në periferi të Teheranit, duke shtuar se do të kryhen hetime të detajuara për këtë rast, shkruan Reuters.

Ndërkohë, zëdhënësi i gjykatës së Iranit, Golamhosein Esmail, ka bërë të ditur se “disa përsosna” tashmë janë arrestuar për shkak të rolit të tyre në rrëzimin e aeroplanit, duke mos dhënë detaje, transmeton Telegrafi.

Rouhani e ka quajtur rrëzimin e aeroplanit ku humbën jetën mbi 150 pasagjerë, si “gabim të pafalshëm” duke vlerësuar se nuk mundet që vetëm një person të jetë përgjegjës për rrëzimin e fluturakes.

“Fakti që forcat e armatosura iraniane kanë pranuar gabimin e tyre, është një hap i mirë. Duhet të bindim njerëzit se një gjë e tillë nuk do të përsëritet”, ka shtuar Rouhani.

Ai shtoi se qeveria e tij ka përgjegjësi ndaj iranianëve dhe popujve tjerë, shtetasit e të cilëve humbën jetën nga rrëzimi i aeroplanit.

Kujtojmë që aeroplani i aviokompanisë ukrainase “International Airlines”, është rrëzuar pak minuta pasi ishte ngjitur në ajër nga aeroporti i Teheranit, me ç’rast kanë humbur jetën 176 pasagjerë dhe anëtarët e ekuipazhit.