Mëngjesin e së mërkurës, pas një sëmundje të shkurtër, ka ndërruar jetë nëna e heroit, Fehmi Lladrovci.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili është vëllai i heroit, Fehmi Lladrovci.

”Njoftim!

Më dhimbje të thellë njoftojmë të gjithë miqtë dhe dashamirët, shokët, bashkëluftëtarët dhe të afërmit, se sot në mëngjes, në ora 6:46 minuta, u nda nga ne NËNA jonë e shtrenjtë!

Ajo vdiq si Nënë e lumtur, në gjirin e Familjes tonë.

Pas një sëmundje të shkurtër, duke parë të jetësuar ëndrrën e bijve të saj, të Bijë-Nuses së ndritur, Xhevës, nga e cila mësoj të shkruaj dhe të lexoj, duke ndjerë dashurinë e madhe të bijve, bijave, nipërve e mbesave, stërmbesës, respektin e pa fund të bashkëmendimtarëve dhe të bashkëluftëtarëve të birit të saj, Fehmiut”, shkruan ai.

Për shkak të situatës aktuale me pandeminë Covid-19, Lladrovci kërkon nga vizitorët që të respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

”Duke e ditur gjendjen e pazakontë aktuale, do ju luteshim respektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Varrimi do të bëhet sot, në ora 18:00”, thuhet në njoftimin mortor të Ramiz Lladrovcit, vëllait të heroit Fehmiut.