Ekipi nga Podujeva, KF Llapi, ka bërë të ditur se pas katër vitesh, kapiteni i skuadrës, Mentor Zhdrella është larguar nga Llapi, njofton Llapi.info.

Përmes një postimi të klubit nga Podujeva tashmë ish-kapitenit i është uruar sukses i mëtutjeshëm, ndërsa është thënë se emri i tij do të përmendet gjithmonë në historinë e Llapit.

“Fitues i Kupës së Kosovës. 4 edicione me Llapin . 100 ndeshje të zhvilluara në kampionat dhe Kupë. 7785 minuta të luajtura. 20 gola të shënuar. 30 asistime. Pas një periudhe 4 vjeçare të bashkëpunimit, klubi dhe kapiteni Mentor Zhdrella kanë ndarë rrugët. Si çdo fillim tjetër që e ka fundin edhe në futboll një fillim çdo herë do ta ketë mbarimin. Megjithatë jo pa trofe, por me trofeun e Kupës së Kosovës, sepse ishte vetë kapiteni që kishte premtuar se nuk do largohet nga Llapi pa i sjellur trofe. Ishim krenar si klub që shiritin e kapitenit në dy edicionet e fundit e barti katër herë futbollisti më i mirë në Kosovë, Mentor Zhdrella. E mbase edhe si kapiten arriti ta ngris trofeun historik të Kupës së Kosovës të fituar më 12 maj. Kontributi i madh i Mentorit për klubin dhe fanellën e klubit të vendlindjes do shkruhet me shkronja të arta. Në historinë e KF Llapit, emri i tij do përmendet gjithmonë. I jemi mirënjohës gjithmonë KAPITENIT! Shumë suksese në vazhdim mjeshtër”, ka njoftuar klubi llapjan.

Llapi si fitues i Kupës do të marrë pjesë në Ligën e Konferencës për edicionin e ri./Llapi.info