Pas goditjes me vezë, Rama i del në mbrojtje Beqajt, ja çfarë shkruan

Kryeministri i Shqipërisë pak minuta pasi Ilir Beqën e qëlluan me vezë, publikoi në Facebook disa prej çmimeve të ulura në shërbimin shëndetësor. I ndërgjegjshëm se premtimi për shëndetësi falas, nuk është mbajtur, Rama e vë theksin tek shërbimet që do të jenë me çmim më të ulët nga data 1 shkurt. Pavarësisht se mbron punën e Beqes, Rama nuk e përmend në asnjë rast emrin e tij.

Statusi i Ramës në Facebook:

“Ka një ulje shumë të konsiderueshme të tarifave krahasuar me ato të deritanishme. Ndërkohë, është e qartë se tarifat për personat që nuk pranojnë të ndjekin sistemin e referimit, pra përmes mjekut të familjes, do të mbeten të pandryshuara.

Kështu, pacienti fillimisht duhet të shkojë tek mjeku i familjes. Ky stacion tanimë është FALAS. Në rastet kur mjeku i familjes gjykon se pacienti ka nevojë për një ndihmë më të specializuar, me anë të një rekomandimi e dërgon pacientin tek mjeku specialist. Kur pacienti paraqitet tek mjeku specialist duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti dhe rekomandim nga mjeku i familjes. Kështu ai do të përfitojë nga çmimet e reja, shumë më të ulëta, të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë prej 1 shkurtit.

Pas ofrimit të vizitës FALAS te mjeku i familjes (nga 1000 lekë që ishte), vendim i cili hyri në fuqi më 27 janar 2016, në rastin e vizitave ambulatore, kryerja e injeksioneve dhe ndërhyrjeve mikrokirurgjikale ofrohet tashmë FALAS.

Tarifat për disa ekzaminime, si Mamografia dhe Anti-HIV 1+2, bëhet ZERO për herë të parë.

Vizita tek mjeku specialist në poliklinikë, nga 1500 lekë ulet në 100 lekë;
Vizita tek mjeku specialist në spitalet universitare, nga 3000 lekë ulet në 500 lekë;
Vizita tek mjeku specialist në spitalet rajonale, nga 2000 lekë ulet në 100 lekë;
Vizita tek mjeku specialist në spitalet e rretheve, nga 1500 lekë ulet në 100 lekë.
Po ashtu, nëse një person i pasiguruar ka të nevojshme kryerjen e një ekografie, ajo kushton 1000 lekë në rastet kur pacienti nuk ndjek sistemin e referimit – pra kur nuk kalon nga mjeku i familjes. Në rast se pacienti kalon fillimisht tek mjeku i familjes dhe më pas tek specialisti në poliklinikë për kryerjen e kësaj ekografie do të paguajë vetëm 200 lekë.

Ndërkohë, pacientët të cilët janë të siguruar mjafton të paraqesin kartën e shëndetit dhe atë të identifikimit dhe i përfitojnë të gjitha këto ekzaminime FALAS.

Edhe çmimet për kryerjen e biopsive të të gjitha llojeve janë ulur nga 3000 lekë në 500 lekë, ose gjashtëfish.
Ndërsa, pjesa më e madhe tarifave të ekzaminimeve radiologjike dhe ato imunologjike janë ulur më shumë se pesëfish.
Tarifat për ekzaminimet endoskopie ulen më shumë se dyfish.
Tarifat për analizat laboratorike kliniko-biokimike ulen nga dy deri në shtatëfish.
Tarifat për analizat laboratorike mikrobiologjike ulen nga tre deri në tetëfish.
Tarifat për shërbimin e alergologji-pneumologjisë ulen nga pesë deri në tetëfish.
Tarifat për shërbimin e kardiologjisë ulen nga pesë deri në dhjetëfish, ndërsa ato të shërbimit ORL, ulen nga katër deri në pesëfish”.