Për herë të parë pas 19 vjetësh, Abu Latifa bëri iftar në tryezën e familjes, pasi kaloi më shumë se 18 vjet në një burg të Izraelit.

Amjad Abu Latifa, 49-vjeçar, u lirua nga burgu më 28 janar të vitit 2021.

“Falë Zotit vuajtjet morën fund, pas një kohe të gjatë jemi bashku ashtu siç e kam parafytyruar në burg. Nuk ka asgjë më të mirë sesa atmosfera e ramazanit në shtëpi. Ndiej sikur jam pronar i krejt botës. Jam i lumtur që kam pranë babanë, nënën, bashkëshorten dhe fëmijët e mi”, ka thënë ai.

Kuzhina gumëzhinte nga anëtarët e familjes, përfshirë babanë, nënën, gruan dhe dy fëmijët.

Abu Latifa iu bashkua Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Palestinës, që tani njihet si Fatah.

Forcat izraelite e arrestuan më 30 korrik të vitit 2002, nën akuzat se ishte anëtar i Brigadës Martirët e Aqsas. Kjo brigadë është cilësuar si grup terrorist nga shumë vende të botës.

Ndërkaq Latifa u dënua me 18 vjet e gjysmë burgim.

Bashkëshortja Om Khalied thotë se ramazanët e kaluar familja i ka kaluar në mungesë të madhe të bashkëshortit.

“Në 19 ramazanët e fundit na ka munguar shumë. Çdo vit vendosnim katër karrige përreth tavolinës dhe çdo ramazan jam lutur që burri të kthehej në ramazanin e ardhshëm. Na mungonte çdo ditë”, ka thënë ajo.

Tani kur është në shtëpi, po shfrytëzon kohën e humbur me të bijën Haya.

Ajo po e mëson se si të bëjë kadaif.

Abu Latifa ka diplomën e masterit në shkencat politike dhe sociologji në Universitetin Birzeit.