Partive tona politike u duhen kryetarë të zgjedhur me rotacion

Shkruan: Azem OSMANI

Në Kosovë prej formimit të partive të para demokratike e deri më tani ka dominuar fryma lideriste në udhëheqjen e tyre. Gjatë periudhës së okupimit serb partitë politike shqiptare kanë funksionuar në frymën lideriste për ta mobilizuar masën e gjerë të popullit konform rrethanave ekzistuese duke mbajtur gjallë pushtetin paralel përballë okupatorit. Si duket, ajo kohë ka ndikuar edhe në periudhën e pasluftës në ngritjen e kultit të liderit të partisë. Partitë politike që veprojnë në Kosovë vetëm formalisht i kanë programet dhe orientimet e tyre programore, kurse në praktikë, secila parti që ka ardhur në pushtet ka vepruar në drejtime dhe rrugë të njëjta. Kjo, sepse është dashur fillimisht të ndërtohen institucionet e shtetit, të punohet në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare në njohjen e Pavarësisë, pastaj përballja me krizën e thellë sociale.

Mirëpo kjo nuk mund t’i amnistoj për ngecjet e mëdha që i kanë pasur në zhvillimin ekonomik të vendit, në cilësinë e dobët të arsimit, shëndetësisë, ambientit, si dhe në të gjitha fushat tjera që e rrisin mirëqenien e qytetarëve, përjashto këtu përparimet në shtrirjen e infrastrukturës rrugore dhe të objekteve publike. Ajo çka më së shumti po e dëmton këtë shoqëri është krimi i organizuar dhe korrupsioni. Jam i bindur se zanafilla e gjithë këtyre anomalive e ka burimin te fryma lideriste e udhëheqjes të partive tona politike. Fryma lideriste ka krijuar lidhje shpirtërore dhe emocionale nga elektoratet me mendësi idealiste, e në anën tjetër grupet tjera materialiste “banor të oborrit mbretëror të liderit” kanë krijuar klane e rrjete për përfitime të tyre. Këto grupe në bashkëpunim me liderin e tyre “shpirtëror” për të ardhur në pushtet dhe për t’i mbajtur gjallë epshet e tyre të përfitimit e kanë hipnotizuar elektoratin e vet me simbole e fjalime hyjnore, me elozhe patriotike në emër të një periudhe të lavdishme, në emër të një individi shenjtor. Në esencë qëllimi i tyre ka qenë pushteti dhe përfitimi në mënyrë joligjore. Fryma lideriste ka krijuar edhe grupe të tjera shoqërore me përmasa nënshtruese ndaj më të madhit qendror dhe ndaj më të mëdhenjve lokal. Këto grupe njihen si grupe servile, grupe sekserësh, grupe të privilegjuara biznesesh, familjesh e fisesh. Këto grupe me lehtësi e kanë krijuar ambientin tepër të përshtatshëm për t’u sjell lideri qendror dhe liderët lokal në përmasat e një monarku a diktatori.

Kjo mënyrë e udhëheqjes lideriste vërehet në secilën parti politike në Kosovë. Kjo po e vret demokracinë e brendshme të partive, por edhe të institucioneve tona. Kriza e rëndë politike që tani e ka kapluar Kosovën e ka burimin te kjo frymë ogurzezë.

Tani më populli është lodhur me këtë klasë politike. Skenimi i qëllimeve të tyre u lexua më së miri gjatë periudhës së bllokadës politike të ashtuquajtur “Blloku VLAN”. Tani më pasqyra tredimensionale e leximit të tyre në skaner po lexohet pikërisht në këta muaj krize ku shihen qartë qëllimet e tyre. Si rezultat i kësaj gjendje, qytetari ka filluar të këndellet, të zhveshët nga emocionet militante të “made in partitë politike”, sepse e ka kuptuar fare mirë qëllimin e tyre dhelparak; aspak të sinqertë, aspak të pastër dhe aspak patriotik.

Po vërehet kudo një disponim i madh i qytetarëve për t’u shfaqur në skenë një alternativë e re politike me figura të pastra, që kanë përvojë, kredibilitet e autoritet në shoqërinë tonë. Natyrisht se kjo është e mirëseardhur për këtë popull të lodhur e të rraskapitur. Mirëpo, duke u ditur pasojat e frymës lideriste, jam i bindur se kjo alternativë politike do të mendoj të krijoj një sistem ndryshe të veprimit politik brenda partisë dhe jashtë saj.
Sistemi i zgjedhjes të kryetarit të partisë dhe Kryesisë së partisë do të duhej të bëhej me rotacion. Partia të përbëhej prej tetë anëtarëve të Kryesisë së ngushtë të cilët brenda katër viteve do ndërroheshin çdo gjashtë muaj nga pozita e kryetarit të Kryesisë së partisë. Të krijohej Kryesia e gjerë prej gjashtëmbëdhjetë anëtarëve të Kryesisë, të cilët do ta luanin rolin e mbikëqyrësit të Kryesisë së ngushtë dhe të kryetarëve të zgjedhur, por njëkohësisht të koordinonin punët e Kryesisë së ngushtë me Këshillin e përgjithshëm dhe me elektoratin. Zgjedhja e Kryesisë së ngushtë, e Kryesisë së gjerë dhe e Këshillit të përgjithshëm do të duhej të bëhej me sistemin “një anëtar një votë”. Të gjitha këto, si dhe detajet e tjera të funksionimit demokratik dhe transparent të partisë, do të duhej të specifikoheshin në statutin e tyre.
Jam i bindur se vetëm kështu do të eliminohej fryma e lidershipit, do të pengohej formimi i klaneve, do të vinte në shprehje prezantimi i programeve të kandidatëve që zotërojnë vlera profesionale dhe intelektuale. Vetëm në këtë mënyrë do na kthehej shpresa se njëmend alternativa e re politike do të shkëlqej në interes të shtetit e qytetarëve.
Unë këtë sistem të të zgjedhurit demokratik dhe të veprimit ja kisha dëshiruar në një të ardhme të afërt edhe kësaj klase aktuale politike. Deshëm apo nuk deshëm, ne jemi rritur me ta, kemi punuar me ta, prandaj ua mendojmë të mirën. Kosova ecë përpara kur ka konkurrencë vlerash.
Tani duhet të vijnë në shprehje edhe orientimet programore, sepse jemi në momentet kur ky vend duhet të lulëzoj në të gjitha aspektet për të marrë drejtimin e duhur që na shpie drejt BE-së.

Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.