Në qendrën e vaksinimit në Prizren administrohen 2000 mijë doza të vaksinës anti-COVID në baza ditore.

Kësisoj që nga fillimi i prillit dhe deri më tani janë administruar mbi 100 mijë sosh.

E, nëse ky trend i imunizimit vazhdon kështu, atëherë drejtuesit e shëndetësisë së kësaj komune, synojnë që këtë proces të përmbyllin më së largu në nëntor, pa i përfshirë fëmijët, por vetëm ata të moshës mbi 18vjet.

” Në bazë të statistikave dhe analizave tona, ne i kemi 98mijë banorë të moshës mbi 18 vjet. Nëse trendi vazhdon kështu ne besojmë që deri në fund të tetorit dhe fillimin e nëntorit e përfundojmë vaksinimin me dy doza, nëse nuk del ndonjë rekomandim i ri nga OBSH për ndonjë dozë shtesë apo të tretë”, deklaron, Xhevat Elezkurtaj, drejtor i QKMF-së në Prizren.

Dhe, jo vetëm Prizreni, por i gjithë vendi mund të arrijë të imunizojë me dy doza popullatën prej 70% deri në fund të këtij viti, nëse interesimi për vaksinim nuk bie.

Në fakt, një parashikim i tillë është edhe në platformën online COVIDVAX.LIVE , që nëse Kosova vazhdon me intensitetin e njëjtë të vaksinimit sikurse verës në raport me numrin e popullsisë, atëherë në dhjetor të këtij viti mund të bëhet vaksinimi i plotë i 70% të popullsisë.

“Që të arrihen parashikimet si këto, duhet të mbahet trendi i vaksinimit dhe të administrohen mbi 17mijë, 22mijë apo edhe 23mijë vaksina në ditë. Ku të gjitha këto varen nga disa faktorë, si intensiteti, interesimi i qytetarëve për vaksinim dhe përformanca e stafit”, tregon Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë.

E, nëse këta faktorë ecin si duhet, Kosova mund të shënojë sukses.

“Gjatë muajit gusht dhe fillimit të shtatorit Kosova ka administruar më së shumti doza për kokë banori, dhe pas Sllovenisë mund të jetë shteti i parë në rajon që mund të arrijë 60-70% të popullatës së vaksinuar t me dy doza”, thekson Hoti.

Përkundër se Kosova e ka filluar më së voni procesin e vaksinimit në raport me shtetet e rajonit, sipas parashikimeve aktuale të COVIDVAX.LIVE, Serbia dhe Maqedonia e Veriut vaksinimin e plotë të popullatës prej 70% mund ta përfundojnë në mars të 2022, Shqipëria dhe Mali i Zi në prill të vitit të ardhshëm dhe Bosnja&Hercegovina në shkurt të 2023.