Pas situatës së krijuar dhe zhvillimeve politike të fundit në vend, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së shpejti pritet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai së fundi udhëtoi në Zvicër ku krah liderëve të ndryshëm mori pjesë në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit, pjesë e të cilit ishte edhe shefi i shtetit më të fuqishëm në botë, Donald Trump.

Por rreth një udhëtimi të radhës të Presidentit Thaçi, la mundësi të hapur Zëvendëspresidenti i Atlantic Council, Damon Wilson, kur e përmendi lidhur me zhvillimet e fundit në vend.

Siç shkruan VOA, Damon Wilson mundësinë e një vizite të afërt të Presidentit Hashim Thaçi në Washington, e bëri të ditur gjatë një interviste në edicionin e gjuhës serbe.

”E shihni që është e komplikuar, sepse demokracitë janë të komplikuara”, ka thënë Wilson.

Megjithatë ai thotë se zgjatja e procesit të krijimit të qeverisë është një gjë e mirë për të dëshmuar demokracinë dhe bashkëpunimin në Kosovë që kanë evoluar shumë shpejtë.

”Kjo është e lavdërueshme”, ka shtuar tutje Wilson.

Ai dhe e paralajmëroi vizitën e Presidentit Thaçi në Washington:

”Atje është edhe Presidenti Thaçi, unë mendoj se së shpejti do të vizitojë Washingtonin”.

Kosovën së fundi e vizitoi Richard Grenell, zyrtar i lartë amerikan, njëherit i Dërguari i Posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Takimin e parë Richard Grenell e zhvilloi me Presidentin Hashim Thaçi, ku të dy patën një darkë pune.