Marrëveshja mes Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe asaj të Malit të Zi për heqjen e sigurimeve kufitare, konkretisht njohjen e ndërsjelltë të poliseve është në fazën finale dhe shumë shpejt pritet të nënshkruhet. Kështu ka thënë për Gazetën Sinjali Sami Mazreku, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit. Mazreku ka thënë se kanë mbetur të diskutohen vetëm disa çështje teknike dhe se deri para 1 qershorit pret që të nënshkruhet marrëveshja.

“Kemi shkëmby një draft-marrëveshje mes Byrosë tonë të Sigurimeve dhe asaj të Malit të Zi dhe jemi në përfundim. Ajo që jemi duke diskutu janë më shumë çështje teknike të cilat diskutohen mes byrove se çka ndodh tutje me dëmet që ndodhin në Mal të Zi, çka ndodh tutje me dëmet që ndodhin në Kosovë që kryesisht janë elemente që rregullohen me një dokument të brendshëm nes neve dhe tyre. Jemi nga përfundimi dhe po shpresojmë që para 1 qershorit t’i mbyllim këto diskutime dhe para kësaj date ta caktojmë një ditë për nënshkrimin e kësaj marrëveshje edhe qytetarët e Malit të Zi vijnë me karton të gjelbër në Kosovë, qytetarët e Kosovës shkojnë me karton të gjelbër në Mal të Zi. Kështu që është ajo që nuk ka nevojë as Mali i Zi me pagu në Kosovë, as të Kosovës atje”, ka thënë Mazreku.

Mazreku ka thënë që janë ngutur në këtë kohë pasi që ideja e tyre ishte që mos të ikte sezona verore dhe njerëzit të shkonin në pushime pa e pasur problemin e sigurimit kufitar.

Tutje, Mazreku ka sqaruar se kjo marrëveshje ka të bëjë vetëm me sigurimin nga autopërgjegjësitë që është përgjegjësi e Byrosë.

“Diskutimet teknike janë më shumë për arsye se Mali i Zi është që 10 vite pjesë e Kartonit të Gjelbër që ne nuk jemi pjesë dhe sigurisht ata i kanë pas disa kërkesa e që është një lloj fondi garantues që të bëhet për marrëveshje. Ne vetëm kemi marrë vendim me nda atë fondin garantues që të garantohet marrëveshja edhe që kjo ka të bëjë vetëm me sigurimin e detyrueshëm të autopërgjegjësisë dhe nuk ka të bëjë me sigurime të tjera, sepse këto janë autorizimet tona. Ne flasim vetëm për autopërgjegjësi, për sigurimet që merren për veturat që hyjnë në të dyja vendet”, ka shtuar ai.

Mazreku ka përfunduar se janë duke e rishikuar edhe marrëveshjen me Shqipërinë dhe pasi që të përfundojnë, do të futen në bisedime edhe me Byro të vendeve të tjera të rajonit në mënyrë që të të mos ketë barriera në lëvizjen e njerëzve.

“Me këtë marrëveshje, ne si Kosovë e përmbyllim ciklin e marrëveshjeve me vendet që i kemi përreth. Ajo na hapë rrugë që me diskutu me vendet e tjera. Me Shqipërinë jemi duke e ndërru draftin sepse është një marrëveshje shumë e vjetër e vitit 2006 dhe atë e kemi në përfundim. Byroja jonë i ka bërë komentet e tash po presim që komente të marrim edhe nga Byroja e Shqipërisë. Kryesisht janë për lehtësim të lëvizjes mes të dyja vendeve. Pastaj mundemi me kalu edhe tek vendet e tjera si Bosnja, Kroacia e vendet e tjera”, ka përfunduar Mazreku për Sinjalin.

Ndryshe, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të paguajnë nga 15 euro taksë në pikëkalimin kufitar me Malin e Zi, për të hyrë në këtë shtet.