Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka njoftuar se kjo parti do ta apelojnë vendimin e Kuvendit të Kosovës për ndarjen e 11 milionë eurove për pagesën e rrymës në katër komunat veriore të Kosovës, shkruan Gazeta Express.

“Ne do të ndjekim të gjitha hapat ligjorë dhe do ta apelojmë këtë vendim”, tha ai.

Ai tha se është e habitshme se si u morë një vendim i tillë nga deputetët e VV-së, pasi që sipas tij shkakton dëme zingjirore në vend.

“Propozimi për shumën prej 11 milionë euro që duhet ta paguajnë qytetarët e Kosovës për qytetarët e katër komunave në veri të vendit që kaloi javën e kaluar nga deputetët e VV-së në Komisionin për Ekonomi. Është e habitshme që edhe pas arritjes së pavarësimit në energji, Qeveria e Kosovës po shantazhohet nga serbët. Përveç dëmit financiar në buxhetin e vendit i cili ndërtohet fal djersëve të qytetarëve. Nga ky veprim po krijohet një sërë dëmesh zingjirore. Me këtë vendim qeveria Kurti po tregon se nuk ka potencial për shkelësit e ligjit që po keqpërdorin rrymën.”, ka thënë Lekaj.

“Obligohemi të blejmë energji kur ajo nuk mjafton për të përballur kërkesat dhe kjo e rrit edhe koston. Në momentin që kemi procesin e Brukselit, qeveria e Kosovës me këtë vendim po dëshmon që nuk ka kapacitete dhe guxim që të zbatojë ligjin në mënyrë efektive në tërë territorin e Kosovës”, tha më tutje ai.

Me vendimin për ndarjen e 11 milionë euro , sipas Lekajt qeveria ka krijuar pabarazi edhe tek qytetarët.

“Qeveria Kurti me vendimin për pagesën e 11 milionë euro shkeli barazinë e qytetarëve, duke favorizuar qetarët serbë. Me këtë vendim ata bën edhe shkelje ligjore. Ne ju kemi thënë që do të keni mbështetje të fuqishme nëse e ndalin pagesën jo të ligjshme që e bëjnë serbët në katër komunat e veriut”, deklaroi Lekaj.

Më tutje deputeti i AAK-së tha se me këtë vendim të Kuvendit të Kosovës më së shumti është goditur qytetari.

“Ne në asnjë moment nuk e kemi bërë pagesën për komunat në veti. Ata që kanë ardh me premtime se do ta ndërpresin këtë dukuri negative. Ata sot me votimin në Kuvendin e Kosovës e kanë shkelur premtimin. Kur qeveria ka ndarë shtesat prej 20 euro për pensionistët me arsyetimin se nuk ka buxhet, a thua ku i morën 11 milionë euro për të kryer këtë pagesë. Qeveria e Kosovës e ka goditur qytetarin e Kosovës dhe kjo është e padrejtë”, ka thënë më tutje Lekaj.