Pak protestues para Qeverisë

Pak protestues para Qeverisë

Rreth 20-30 qytetarë të Kosovës kanë protestuar para Qeverisë, përkundër shtyrjes së protestës nga opozita, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Protesta ishte ftuar nga përfaqësues të shoqërisë civile, nëpërmes rrjeteve sociale. Njëri nga ta, Rron Gjinovci ka thënë se ka shumë arsye tjera për të protestuar, përveç shkarkimit të Jabllanoviqit dhe “Trepçës”.
“Kemi dalë sot në protestë në mënyrë që të mos lejojmë instrumentalizimin e saj nga partitë politike. Protesta është e qytetarëve”, deklaroi Gjinovci.
“Ka shumë arsye tjera për të protestuar, përpos shkarkimit të Jabllanoviqit e ‘Trepçës’. Migrimi, papunësia, korrupsioni, krimi i organizuar e shumë tjera tema janë ato për të cilat qytetarët duhet të vazhdojnë të protestojnë”, theksoi ai.
“Këto protesta do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Do të koordinohemi me protestuesit e tjerë, në mënyrë që të jemi sa më të organizuar dhe të dalim për të protestuar ndaj gjendjes aktuale në vend”, tha mes tjerash Gjinovci.