“Pacolli me ultimatum ka dhënë shenja për bashkim me PAN-in”

Të premten e javës së ardhshme do të përfundoj afati që kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli i ka vënë dy partive LDK-së dhe VV-së që të koordinohen për formimin e institucioneve të reja, duke paralajmaëruar largim nga koalicioni LAA.

Këtë ultimatum të Behgjet Pacollit, analistët e shohin si shenjë e bashkimit të AKR-së me koalicionin tjetër PAN, shkruan Indeksonline.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se LDK me VV kanë probleme për krijimin e shumicës, prandaj mbetet që AKR ti bashkohet PAN.

“Pacolli ka dhënë sinjale të qarta se do t’i bashkohet PAN-it dhe do ta zhbllokojë situatën. LDK e VV kanë probleme të mëdha që të bashkëpunojnë dhe të krijojnë shumicën, andaj duhet pritur që AKR t’i bashkohet PAN-it”, ka thënë Mushkolaj për Indeksonline.

Sipas tij, mënyra se si Pacolli e ka dhënë ultimatumin nënkupton se ai dëshiron që të arsyetohet para strukturave partiake, votuesve të AKR-së dhe opinionit për vendimin që do të marrë për t’iu bashkuar PAN-it.