“Çdo përpjekje e Behgjet Pacollit për të ardhur në Novi Pazar do të ishte e paligjshme dhe dihet se si veprohet me ata që kalojnë ilegalisht territorin e një vendi të njohur ndërkombëtarisht dhe sovran siç është Serbia”, deklaroi ministri serb i Mbrojtjes, Aleksander Vulin.

Vulin e nënvizoi me forcë se Beogradi zyrtar ia ka refuzuar lejen e vizitës kryediplomatit të Kosovës, duke i bërë kështu jehonë komenteve të mëparshme të Ivica Daçiqit.
Pacollit, ftesa i mbërriti nga Sulejman Ugljanin, kryetari i Këshillit Nacional të Boshnjakëve, i cili shprehu keqardhje të thellë për vendimin e ekzekutivit serb, ndërsa falenderoi nga ana tjetër Pacollin për gadishmërinë e treguar që të vizitonte Novi Pazarin, shkruan Top Channel.

Daçiqi ndërkohë e pa këtë si një lëvizje të drejtuar kundër Serbisë: “Do të tregohesha keqdashës nëse do të thosha se po të vinte Pacolli këtu, do t’i rezervohej e njëjta pritje me atë të Marko Gjuriqit në Kosovë, por kjo nuk ka për të ndodhur sepse Serbia është shtet i civilizuar”.