Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, ka miratuar Projektbuxhetin e komunës për vitin 2022 dhe parashikimet buxhetore për vitin 2023-2024 si dhe ka ngritur Grupin punues për hartimin e draft-Planit të punës së kuvendit për vitin 2022, transmeton Llapi.info.

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Hilmi Hoxha, e ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe anëtarë të ekzekutivit.

Propozim vendimin për miratimin e projektbuxhetit e prezantoi drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, i cili theksoi se buxheti është njëra nga dokumentet më të rëndësishme në të cilën paraqiten objektivat e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore me anë të cilës synohet arritja e objektivave zhvillimore të komunës sonë.

Ai tha se disa nga objektivat e komunës së Podujevës janë: Përmirësimi i infrastrukturës në qytet dhe në fshatra, qytet të zhvilluar me plan urbanistik, ngritja e nivelit të arsimit, zhvillimi i shëndetësisë, duke ofruar shërbime cilësore për qytetarë, zhvillimi i kulturës dhe sportit, ruajtja e ambientit, zhvillimi i bujqësisë, zhvillimi i ekonomisë dhe turizmit. Të gjitha këto objektiva i kemi inkuadruar në buxhetin 2022.

Buxheti i vitit 2022 duke u barazuar në limitet buxhetore të qarkores së dytë buxhetore të lëshuar nga Ministria e Financave për komunën e Podujevës është 23,449,521.00 euro.

Lidhur me këtë pikë në emër të subjekteve të përfaqësuara në kuvend, qëndrimet me vërejtje dhe sygjerime i shprehën përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

Ndërsa, Kryetari Bulliqi në adresimin e tij, ka ftuar asamblistët të votojnë buxhetin, duke u zotuar se do të ketë edhe projekte të cilat do të inkorporohen gjatë rrugës, ndërsa potencoi që ky është viti i parë i mandatit, ndërsa projektet tjera investive do të parashihen gjatë viteve tjera.

Pas diskutimeve nga asamblistët, kuvendi me 18 vota pro miratoi projekt buxhetin e komunës për vitin 2022.

Kuvendi, gjithashtu ka votuar edhe përbërjen e grupit punues për përgatitjen e draft- Planit të punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2022 në përbërje Arjant Topania (LDK), Fitim Muçolli (LVV), Arbnor Fazliu (AAK), Mimoza Abdullahu (PDK) ndërsa dy përfaqësuesit e ekzekutvit ditëve në vijim./Llapi.info