Kryetari i OVL-UÇK-së Hysni Gucati ka thënë se edhe sot kanë pranuar dokumente nga një person i panjohur.

Sipas tij, rasti ka ndodhur sot rreth orës 15:30, derisa bën të ditur disa persona u munduan ta ndalonin porse nuk kanë mundur ta ndalojnë.

“Sot rreth orës 15 e 30 minuta, kanë sjellë dokumente, ne e kemi quajtur tash ‘rrufeja 2’ . Ne që kemi deklaruar më herët që Gjykata Speciale bashkëpunon me Serbinë për krime lufte”, ka thënë ai, raporton KOHA.

Ai tutje i ka prezantuar tri dokument me të cilat pretendohet se figura të Serbisë kanë komunikuar me prokurorë të Gjykatës Speciale.

Zëvendëskryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj tutje ka thënë se kjo është goditje për Prokurorinë Speciale. Sipas tyre, ai ka deklaruar se përsëri do të sjellë dokumente.

Të dy kanë thënë se nuk është personi i njëjtë i cili i solli dokumentet e para.