Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me sitatën me zjarret në vend.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ka thënë se rreziku nga situata e rënduar me zjarret ende nuk ka kaluar.

Ajo ka bërë thirrje tek qytetarët që të përmbahen nga djegia e hamulloreve, pasi që kjo po konsiderohet ndër shkaktarët kryesorë të zjarreve.

“Djegia e hamulloreve konsiderohet ndër shkaktarët kryesorë të zjarreve, ndaj qytetarët duhet të përmbahen nga veprime të tilla, të cilat shkaktojnë rrezik të përgjithshëm.”, ka thënë Osmani.

Presidentja po ashtu ka bërë të ditur se zjarrfikësit, pjesëtarët e FSK-së, të Policisë dhe të mbështetur nga KFOR-i, po bëjnë të pamundërn për zvogëlimin e pasojave nga zjarret.

Postimi i saj i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Në kohën kur temperaturat ekstreme kanë përfshirë vendin tonë, rreziku nga zjarret është rritur tejmase. Prej disa ditësh në disa rajone të Kosovës situata është rënduar nga zjarret dhe ky rrezik ende nuk ka kaluar.

Institucionet e vendit me kapacitet të plotë po përpiqen për zvogëlimin e pasojave nga zjarret, por kjo përpjekje domosdoshmërisht kërkon edhe mbështetjen e qytetarëve. Zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i, po bëjnë të pamundurën, por të gjithë kemi përgjegjësinë që ta rrisim kujdesin për ta ulur rrezikun nga shtrirja e zjarreve.

Djegia e hamulloreve konsiderohet ndër shkaktarët kryesorë të zjarreve, ndaj qytetarët duhet të përmbahen nga veprime të tilla, të cilat shkaktojnë rrezik të përgjithshëm.

Kosova është shtëpia jonë, ndaj të gjithë duhet të mobilizohemi ta ruajmë mjedisin dhe t’i ruajmë jetët e njerëzve tanë.