Me një të folur të mirë të anglishtes me theks amerikan, politikisht e mprehtë, e fokusuar, përpilon deklarata në vend të frazave të gjata, e arsimuar mirë, e re, nënë e binjakeve: Vjosa Osmani nuk i përgjigjet aspak stereotipit të politikanit ballkanas. Kështu është përshkrimi që i ka bërë mediumi zviceran “Neue Zurcher Zeitung” ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën ka pasur një intervistë.

“Ju keni të drejtë, është një stereotip dhe jo realitet”, e hap bisedën ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës me këtë medium. “Unë përfaqësoj imazhin e shumicës dërrmuese të popullatës kosovare – posaçërisht të popullatës së re”.

Në përshkrimin e këtij mediumi thuhet se me fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 14 shkurtit, populli kosovar ka arritur një ndryshim pa ndërhyrje të jashtme: larg komandantëve dominues të luftës dhe strukturave të tyre drejt diçkaje të re.

“Për herë të parë u dëgjua thirrja e njerëzve, nuk është thjesht një thirrje, është një thirrje për ndryshim”, komenton Osmani suksesin e zgjedhjeve. “Tani ne duhet të japim punë dhe drejtësi”.

Së bashku me Albin Kurtin, ajo kishte premtuar punë dhe sundim të ligjit gjatë fushatës zgjedhore. Sot një e katërta e popullsisë kosovare është e papunë. Klasa e mëparshme sunduese shihet si e korruptuar, në disa raste edhe e lidhur me krimin e organizuar, vazhdon mediumi zviceran.

“Njerëzit në Kosovë janë shumë të durueshëm, ata të japin një mundësi, por ne nuk duhet t’i zhgënjejmë ata!”, ka thënë më tej Osmani në këtë intervistë.

Sigurisht, se nuk mund të zgjidhen të gjitha problemet brenda natës, por tani ka një perspektivë e re për Kosovën, shkruan NZZ. “Ajo dëshiron të udhëheqë me shembull të mirë dhe të prezantojë veçanërisht shpirtin e meritokracisë: ata që performojnë mirë, ecin përpara. Kjo më parë nuk ka ndodhur në Kosovë, thotë Osmani gjatë bisedës”.

Para mediave në Bernë, mysafiri nga Kosova shumë dashamirësi nga presidenti i Këshillit Kombëtar, Andreas Aebi, përshkruhet takimi i Osmanit me Aebin. Zgjedhjet paralajmëruan një epokë të re politike në Kosovë.

“Unë vetëm mund t’i bashkohem shpresës së shqiptarëve të Zvicrës”, kishte thënë Aebi, si përshkrim të shpresave të diasporës së Kosovës që të përmirësohet sundimi i ligjit dhe të luftohet korrupsioni e krimi i organizuar.

Osmani shpreson që Zvicra të angazhohet për liberalizimin e vizave për popullin e Kosovës.

Socialdemokratët dhe veçanërisht bashkëpresidenti i tyre, Cédric Wermuth, kanë bërë një fushatë të madhe për Albin Kurtin dhe partinë e tij në të kaluarën. VV-ja është jashtëzakonisht e popullarizuar në mesin e të rinjve zviceranë me një histori kosovare. Shumë aktivistë të Kurtit janë gjithashtu anëtarë të SP-së.

NZZ në raportimin e vet më tej ka vazhduar për të kaluarën politike të Kurtit për të cilin ka thënë se nisi aktivitetin duke kundërshtuar Serbinë. Për Osmanin thotë se ajo vjen nga partia konservatore e Ibrahim Rugovës, përfaqësuesit të rezistencës të padhunshme kundër Serbisë.

Osmani ka pranuar se ajo dhe Kurti kanë ideologji të ndryshme politike, por ka shtuar se “kemi arritur të zhvillojmë një program të përbashkët, që përmban pozicione të qendrës së majtë, por edhe të qendrës së djathtë”.

Problemet e Kosovës nuk janë të natyrës ideologjike.

“Nëse duam të luftojmë sistemin e korruptuar, atëherë asnjë ideologji nuk duhet të na ndajë. Kjo gjithashtu do të na mbajë së bashku”, është shprehur e bindur Osmani.

Për stabilitet dhe perspektivë reale, Kosovës i duhet një marrëveshje paqeje me Serbinë, thuhet më tej në raportim. Por të dy palët këmbëngulin në kërkesat maksimale. Zvicra ndan përgjegjësinë për të kontribuar për një zgjidhje.

Si një vend neutral, ajo doli përtej kësaj dhe menjëherë njohu Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Zvicra gjithashtu është e lidhur me Kosovën përmes diasporës së madhe. Edhe në kohën e pandemisë, ekziston një lidhje ajrore me disa fluturime në ditë ndërmjet Prishtinës dhe tre aeroporteve kombëtare të Zvicrës.

Ky medium ka shtuar tutje se Zvicra ka punuar shumë kundër idesë për shkëmbime territoresh si zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. NZZ ka shtuar se Zvicra duhet të jetë kundër edhe për bashkimin mes Kosovës e Shqipërisë, që ende po përmendet nga Kurti. Kjo ide konsiderohet se për momentin s’ka shumë gjasa të ndodhë, por mund të përdoret në negociatat me Serbinë.

Osmani ka theksuar se marrëveshja e koalicionit përcakton se nuk do të ketë ndryshime kufijsh – dhe as ndryshime kushtetuese.

“Ne pajtohemi për prioritetet: Ka akoma vende në Kosovë pa ujë të rrjedhshëm ose energji elektrike. Ky është fokusi ynë”, ka shtuar ajo.

Për Beogradin kjo ka të bëjë me njohjen e realitetit, thotë Osmani.

“Ka shumë për të diskutuar në tryezën e negociatave, por sigurisht jo sovranitetin e Kosovës”, ka deklaruar në fund ajo.

Pikërisht pasi që ushtruesja e detyrës së presidentes u prit me krahë hapur në Bernë, duhet që diplomacia zvicerane të promovojë një dialog konstruktiv mes Prishtinës dhe Beogradit, përfundon NZZ.