Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka komentuar takimin e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Osmani për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se shteti serb “duhet të jetë më e përgatitur në tryezën e negociatave”.

Osmani këtë deklarim e ka bërë për mediumin austriak ‘Wiener Zeitung’, teksa ka thënë se Kosova ka bërë përparime në disa drejtime, kurse Serbia vetëm ka tentuar ta bllokojë procesin e negociatave.

“Serbia nuk kishte përgatitur asgjë dhe nuk bëri asnjë propozim, ndonëse diçka e tillë është e nevojshme nëse duhet të ketë ndonjë përparim. Në anën tjetër, Kosova ka bërë disa propozime të reja, për shembull mbi marrëdhëniet tregtare rajonale, të drejtat e pakicave ose çështjen e personave të zhdukur. Serbia me sa duket ka refuzuar gjithçka”, deklaroi ajo për mediumin austriak,përcjell Gazeta Express.

E pyetur lidhur me dy shtetet që po bllokojnë procesin e liberalizimit të vizave në Këshillin Europian, Osmani ka thënë se frika e tyre lidhur me emigrantët nga Kosova është e paarsyeshme.

“Është shqetësim i paarsyeshëm. Pati probleme më 2014/2015 kur shumë njerëz donin të hynin në BE dhe të qëndronin atje. Por numri i tyre ka rënë në mënyrë dramatike. Kosova nuk është më në listën e 40 vendeve nga të cilat vijnë shumë emigrantë”, ka deklaruar presidentja.

Po ashtu, Osmani lidhur me këtë çështje ka thënë se stagnimi i BE-së për liberalizim të vizave e humb besueshmërinë ndaj unionit europian.

“BE nuk po i mban premtimet e saj dhe po dobëson besueshmërinë e saj. Disa shtete anëtare hezitojnë për arsye të politikës së brendshme. Por kjo nuk është arsye për të ndëshkuar kosovarët që ndihen sikur janë në një geto politike”, ka thënë Osmani