Presidentja, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të doajenit të këngës popullore shqipe, Ismet Bogujevcit.

“Sot humbëm zërin unik të këngës sonë popullore. Ismet Bogujevci është artisti i këngës që një jetë të tërë ia kushtoi jetës skenike muzikore. Me Ansamblin “Shota”, ai afirmoi traditën dhe kulturën tonë muzikore, ndaj me të drejtë bart titullin e doajenit”.

Sipas saj, brezave do t’iu mbetet trashëgim një fond i pasur i muzikës së mirëfilltë shqipe të interpretuar nga Ismet Bogujevci.

“Në këtë opus interpretues të Ismet Bogujevcit, gjurmë të pashlyeshme do të lë interpretimi maestral i këngës “Kur ma falë një tufë gërshetë”, në duet me Bilbilin e këngës shqipe, Nexhmie Pagarusha. Muzika ishte jeta për të, ndaj ikja do të lë një zbrazëtirë në skenën muzikore të Kosovës. U dëgjoftë përherë zëri i Ismet Bogujevcit”.