Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka mbajtur një takim me rininë e Gjilanit.

Ajo fjalimin e saj e ka nisur me fjalë shumë të mira për rininë e këtij qyteti, ashtu si edhe për kryetarin e kësaj komune që është edhe shefi i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, Lutfi Hazirin.

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme të jem këtu në mesin e rinisë së Gjilanit, një rini e mrekullueshme që unë e kam pasë rastin ta njoh tash e shtatë vjet prej kur jam martuar këtu në Gjilan”.

“Është vërtetë një nder i madh, por mbi të gjitha është motiv dhe energji pozitive që ditën sot ta fillojmë bashkë me ju sepse kush më shumë se rinia të jep energji pozitive, inspirim dhe motiv të mirë”.

“Në vitin 2013, Luta dhe unë ishim bashkë në garën e Gjilanit dhe natyrisht që fituam. Nuk ka ndodhë ndonjëherë që ne të dy të bëhemi bashkë dhe të mos fitojmë, kështu që është e pashmangshme edhe tani”.

Osmani është shprehur e bindur se pas 16 ditëve, aq sa kanë mbetur deri në zgjedhjet e 6 tetorit, LDK-ja do të dalë fituese.

“Kanë mbetë saktësisht edhe 16 ditë deri në momentin e fitores tuaj, vetëm edhe 16 ditë durim për njerëz që vendosën në Kosovë një mentalitet plaçkitës, kleptokracinë, mentalitet të të paditurve dhe të rrezikshmëve”.

“Edhe 16 ditë atyre ju vjen fundi dhe edhe 16 ditë fitorja e LDK-së do të jetë fitorja juaj. Do të jetë në veçanti moment historik për rininë e Kosovës”.

Ajo ka përmendur edhe kandidatët për deputetë nga kjo parti që vijnë nga Gjilani duke thënë fjalë të mira për secilin prej tyre, derisa ka falënderuar edhe ekipin që po i qëndrojnë afër dhe po punojnë bashkë këto ditë.

Osmani nuk e ka vënë në dyshim se LDK-ja do të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve, por ajo ka thënë se duhet të sigurohen që fitorja do të jetë e fuqishme, njofton Klan Kosova.

“Ne duhet të sigurohemi që fitorja jonë me qenë e fuqishme. Natyrisht që do të fitojmë, por duhet të sigurohemi që është një përgjigje që kurrë më herët nuk e kanë dëgjuar. Është jehonë e zërit të secilit prej jush që nuk pranon më kurrë të përfaqësoheni nga njerëz që ju bëjnë të ndiheni të turpëruar”.

“Përgjigja që ata do ta marrin më 6 tetor do t’i vendosë njerëzit që vetëm krimin dhe korrupsionin e kanë ekspertizë në opozitë jo vetëm për katër vjet, por minimum për 12 vjet”.

“Në këto mandate, si LDK duam që të krijojmë shpresë për secilin prej jush që perspektivën në Republikën e Kosovës ta gjeni pa pasë nevojë që dikujt t’i tregoni librezë partiake, që të shfrytëzohen metoda të paligjshme dhe të pandershme dhe metoda të tjera, përpos dijes dhe punës”.

“Sot, dëshpërimi më i madh i rinisë është që askush nuk e vlerëson punën, diturinë dhe përgatitjen e tyre. Kjo do të përfundojë kur LDK-ja ta krijojë qeverinë e saj që bazë e ka meritokracinë dhe jo metodat e ndyra dhe të paligjshme që i kanë instaluar këta që ishin në pushtet”.

Ajo e ka ripërsëritur se kjo betejë është e të gjithëve duke thënë se gjithçka është në duart e qytetarëve.

“Kemi nevojë për mobilizimin e secilit prej jush. Ta ndjeni përbrenda që kjo është betejë e secilit prej jush sepse e përcaktoni fatin tuaj edhe për 20 vjetët e ardhshme, e përcaktoni se çfarë shkollimi do të keni ju dhe njerëzit e tjerë që vijnë pas jush, çfarë të ardhme do të keni në punësim, se si do të vlerësoheni në secilin vend pune dhe a do të jemi ne më pasqyra e shtetit tonë”.

“Mos t’ju mashtrojnë se asgjë nuk është në duart tuaja. Gjithçka më 6 tetor vendoset nga secili prej jush. Aq sa kemi sot fuqi ne që jemi pjesë e LDK-së, aq keni fuqi edhe ju që ta ndërtoni njëherë e përgjithmonë një Kosovë krejt tjetër prej kësaj që shohim sot”.

“Kjo nuk është Kosova për të cilën kanë sakrifikuar familjet tuaja. E kemi detyrë historike që ta ndryshojmë fatin e vendit tonë dhe nëpërmjet kësaj vote më 6 tetor ta ndryshojmë fatin e secilit prej nesh”.

Ajo ka deklaruar se rinia mund ta bëjë ndryshimin.

“Mos harroni, 70 % e qytetarëve të Kosovës janë rini. Ky 70 % do të dalë në referendum për të ardhmen e vet më 6 tetor”.

“Mos u ndalni në asnjë moment dhe sigurohuni që kjo fitore dhe festa e 6 tetorit të jetë festë e secilës familje në Kosovë, festë nëpërmjet të cilës ju e përcaktoni të ardhmen me zhvillim, punësim dhe ku arsimi dhe shëndetësia janë prioritet dhe jo krimi, korrupsioni dhe xhepat e pushtetarëve”.