Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një letre drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell Fontelles, e ka njoftuar atë për vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për një vit.

Në letrën drejtuar Borell, Presidentja Osmani ka njoftuar se EULEX-t mandati do t’i vazhdohet edhe për një vit tjetër, në rast të vlerësimit pozitiv të punës së këtij misioni nga Presidentja e Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, Osmani ka propozuar, që me kërkesë dhe bazuar në nevojat e identifikuara nga institucionet e Republikës së Kosovës – institucionet e BE-së ofrojnë ekspertizë, shërbime këshilluese si dhe ndihmë financiare, në çështjet që lidhen me proceset e reformës në drejtësi.

Më tej, në letër, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për ta garantuar sundimin e rendit dhe ligjit, përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja dhe avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ky mandat i EULEX-it është mandat teknik, i bazuar ekskluzivisht vetëm në rol këshillëdhënës, mentorues dhe monitorues në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.