Kryetarja e kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka qëndruar sot në Vushtrri me rastin e përurimit të shtatores së Kolonel Ahmet Krasniqit.

“Ndjehem e nderuar që jam sot këtu, që në përvjetorin e trishtë të vrasjes makabre të Komandantit të Forcave të Armatosura të Kosovës, Krasniqi i cili u emërua me të drejtë, duke ia njohur kontributin nga ai që Koloneli e konsideronte Komandant Suprem të këtyre forcave, nga presidenti ynë historik, Ibrahim Rugova. Jam e nderuar që t’u drejtohem me rastin e inaugurimit të shtatores dhe sheshit të heroit të kombit.Kjo ngjarje ka peshë të veçantë, edhe për brezat e ardhshëm sepse inaugurojmë shtatoren dhe sheshin në emër të këtij burri që i dha aq shumë qytetit tuaj, Kosovës dhe lirisë sonë, e nuk mori asgjë përpos plumbit. Në mes të Tiranës, 22 vite më parë të shtënat i dhanë fund betejës së kolonelit, pra e mbyllën betejën e tij jetësore, por assesi betejën e të gjithë neve dhe kauzën që ai ndërtoi për lirinë e Kosovës. Në sot po e ndërtojmë veprën e Ahmet Krasniqit, por duke kujtuar veprat e tij ia shtojmë mirënjohjen tonë mijëra gra e burrave që i doli Zot Atdheut, në ditët më të vështira”, tha Osmani, shkruan Indeksonline.

Tutje ajo shtoi se sot kujtojmë edhe paraardhësit e Krasniqit, ku në kohën e shtrirjes së komunizmit në këto troje luftoi për ruajtjen e tokave shqiptare dhe luftimin e ideologjisë komuniste.

“Kontributi atdhetarë i ka rrënjët në histori, në ndjenjën e kultivuar atdhetare. Ne sot e gëzojmë lirinë falë gjakut të derdhur të Kolonel Krasniqit dhe shumë atdhetarëve të tjerë. S’është aspak e tepërt të theksohet se vrasja e pabesë dhe tinzare e Krasniqit ishte vepër e rëndë, ai u vra në mes të Tiranës gjatë përpjekjeve të tij për të krijuar unifikimin e të gjitha forcave shqiptare, kundrejt dhunës sistematike serbe. E kemi lënë borgj e peng, zbardhjen e vrasjes së tij. E kemi borgj ndaj familjes e bashkëpunëtorëve të tij. Sot e tutje ai do të jetë në mes e vushtrriasve, por s’do të jetë i qetë deri atëherë kur të kemi përgjigjen se kush shtiu në të më 21 shtator 1998. Në skenën tonë politikë është bërë rutinore që të gjejnë strehë ata që dikur rivalitetin politik e kanë shfaqur. Ky vend e ka të zorshme të ardhmen e vetë, pa zbardhjen e të gjitha vrasjeve politike, duke filluar nga vrasja e Ahmet Krasniqit. Shteti do të ketë kuptim, vetëm e vetëm kur të pastrohen njollat e lirisë dy dekadëshe.Ai ra në detyrë dhe u vra nga dikush që e pati për detyrë që ushtarët t’i lë pa Komandantit. Ishte goditje ndaj idesë së unifikimit, që faktikisht mungon edhe sot e kësaj dite. Sot, zëri i kolonelit sërish thërret për unifikim, por jo unifikim me krimin, por ata që e duan Republikën e Kosovës sikurse ai, e për të cilët ai e mban epitetin e Heroit të Kosovës. Kolonelit ne s’do të mund t’i shkruajmë, por familjarëve të tij po. Një ditë ndoshta edhe mund t’u themi se vrasja e tij u zbardhë, apo ndoshta edhe s’do të arrijmë një gjë të tillë, pasi në këtë vend do të vazhdojnë të jenë aleancat që shërbyen për krimin. Tirana zyrtare ia ka borgj Kosovës zbardhjen e vrasjes së Kolonel Ahmet Krasniqit. Kosova s’do ta gjejë paqen e duhur, ashtu siç Krasniqi s’do të gjejë prehjen nëse institucionet përgjegjëse në Kosovë, Shqipëri por edhe ato të huaja nëse s’do t’i japin verdiktin e drejtësisë vrasjes së Krasniqit”, përfundoi ajo.