Oketa: Një pjesë e drejtuesve të opozitës i trembet drejtësisë

Reforma në drejtësi dhe ngritja e një sistemi të vërtetë drejtësie në vend, më shumë sesa mungesa e besimit reciprok mes palëve, tremb një pjesë të drejtuesve të opozitës sesa vetë mazhorancën

Deklarata vjen nga sekretari i përgjithshëm i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, i cili në një intervistë për gazetën “Shqip” thekson se pikërisht kjo pjesë e drejtuesve aktualë të opozitës ka më shumë arsye për t’iu trembur drejtësisë së vërtetë dhe për këtë arsye ngërçin e krijuar në realizimin e kësaj reforme, ai e shikon më shumë si një justifikim për të vonuar në kohë procesin.

“Akoma më e madhe është mungesa e besimit nga opozita, e cila ka dy vite e gjysmë që ka dorëzuar pushtetin dhe një pjesë e drejtuesve të saj ka shumë arsye për t’iu trembur drejtësisë së vërtetë. Duket sikur më shumë se politika shqiptare apo edhe vetë qeveria, këtë reformë e kërkon faktori ndërkombëtar.

Fakti që ky presion është në rritje dhe shpesh shumë i drejtpërdrejtë dhe pa nota diplomatike, krijon perceptimin se politika shqiptare po e ndërmerr këtë reformë e detyruar dhe jo se ajo është e gatshme”.

Ndërkohë, në lidhje me situatën në të cilën gjendet sot drejtësia, ish-ministri i Mbrojtjes fajëson klasën politike, e cila qëllimisht ka ndryshuar balancat demokratike të institucioneve.

Dhe për zgjidhjen e ngërçit për reformën, Oketa i sugjeron mazhorancës qeverisëse që të bëjë të gjitha përpjekjet për të dialoguar me opozitën, për t’i krijuar asaj të gjitha garancitë që kjo reformë nuk do të keqpërdoret dhe pse jo për të krijuar një model tjetër të marrëdhënieve mazhorancë-opozitë.

Ndërkohë, lidhur me reformën zgjedhore, numri dy i FRD-së i bashkohet qëndrimit të partive të tjera të vogla, të cilat kërkojnë lista të hapura të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, krijimin e një sistemi proporcional me korrektim kombëtar, si dhe komisionarë të pavarur nga politika. Ndërsa lidhur me koalicionet, Oketa shprehet se nëse do të ketë një vendimmarrje për t’u bashkuar në një formacion politik, atëherë aleanca e ardhshme do të ngrihet mbi bazën e parimeve dhe jo të një analize matematikore.