Obama: Degjenerimi i ideologjisë çon në barbari

Në një deklaratë lidhur me vdekjen e pilotit jordanez Presidenti amerikan, Barak Obama, tha kjo tregon edhe një herë barbarinë e organizatës së ISIS-it.
Videoja e pilotit jordanez i djegur i gjallë nga ISIS-i tregon edhe një herë barbarinë e kësaj organizate, deklaroi presidenti amerikan, Barack Obama.
”Kjo na tregon edhe një herë se ku të çon degjenerimi i një ideologjie”, theksoi ai.
Ndërkohë, mbreti Abdullah i Jordanisë ndërpreu vizitën e tij në SHBA për të mbërritur menjëherë në Aman për ndjekjen e situatës së krijuar.
Organizata e ISIS-it shpërndau të martën një video, ku tregohet një njeri i cili digjet i gjallë në një kafaz duke konfirmuar se bëhej fjalë për pilotin jordanez të marrë peng pas rrëzimit të avionit të tij, F-16, në Siri më 24 dhjetor.
Piloti jordanez, Maaz al-Kassasbeh, po kryente një sulm kundër pozicioneve të ISIS-it në kuadër të koalicionit ndërkombëtar nën drejtimin amerikan, kur u mor peng nga militantët e organizatës.
Edhe ushtria jordaneze konfirmoi vdekjen e pilotit të saj.