Një nxënës i klasës së nëntë në Podujevë u kthye nga shkolla në shtëpi me shenja të dhunës në fytyrë dhe trup. Për këtë ai dhe familja e tij po e akuzojnë arsimtarin e Artit Figurativ. Ky i fundit po mohon se ka rrah nxënësin. Situatën pritet ta qartësojnë hetuesit policorë të cilët tashmë po merren me këtë rast.

Nxënësi i klasës së nëntë D.S nga Dumnica e Epërme e Podujevës po e akuzon për rrahje arsimtarin e Artit Figurativ, Eroll Bejta.

14 vjeçari që pretendon se u rrah nga mësimdhënësi në klasë thotë se për këtë e ka dëshmitar edhe kushëririn e tij i cili për Klan Kosovën dha versionin e njëjtë të ngjarjes.

Akuzat i mohoi mësimdhënësi Bejta.

Në anën tjetër babai i nxënësit, nga ajo se çfarë dëgjoi nga djali i tij po thotë se është mjaft i mllefosur me sjelljen e profesorit të shkollës ‘Lasgjush Poradeci’.

http://www.dailymotion.com/video/x66nnpi

Ai djalin e pati edhe në mjekim ku u diagnostikua me lëndime të lehta.

Rastin e paraqiti edhe në polici. Këta të fundit intervistuan mësimdhënësin Bejta.

Komandanti i Policisë së Podujevës Bekim Bislimi tha se kanë hapur një rast me kërkesë të prindit të fëmijës ndërsa me kërkesë të prokurorit lënda është përcjellë në procedurë të rregullt.

Ndërkaq Drejtori i Shkollës Xhemajl Jashari tha se bëhet fjalë për një incident të vogël derisa lavdëroi punën e arsimtarit Bejta.

E njoftuar me rastin nuk është Drejtoria e Arsimit në Podujevë, por drejtori i saj Avni Maloku, tha se të hënën sapo të informohet se çfarë ka ndodhur do të ndërmarrë masat e nevojshme.